Gjermania kërkon zgjatjen e kontrolleve në zonën Schengen

Në rast se Komisioni Europian e pranon këtë kërkesë kontrollet në disa vende të cilat janë pjesë e Schengen-it mund të vazhdojnë edhe për 6 muaj.

Gjermania dhe disa vende të tjera të Bashkimit Europian po planifikojnë t’i kërkojnë Komisionit të BE-së vazhdimin e kontrolleve kufitare brenda zonës së Shengenit për gjashtë muaj, pasi kanë frikë një valë të re të mundshme emigrantësh, raporton Anadolu Agency (AA).

Një nga zëdhënësit e Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, Tobias Plate, thotë se letra është dërguar të hënën duke kërkuar vazhdimin e kontrolleve në kufirin gjermano-austriak, të cilat janë realizuar vitin e kaluar kur mijëra emigrantë kanë kaluar drejt Gjermanisë çdo ditë.

Plate thekson se kontrollet nuk do të jenë të vazhdueshme dhe se ato mund të hiqen pasi siguria e kufijve të jetë e plotë. Ai vë në dukje se në rast se Komisioni Europian e pranon këtë kërkesë kontrollet në disa vende të cilat janë pjesë e Schengen-it mund të vazhdojnë edhe për 6 muaj.

Ai ka folur gjithashtu edhe në lidhje me pretendimet për fëmijët refugjatë sirianë të humbur në Gjermani. Ai ka shtuar se fëmijët të cilët kanë lënë kampet dhe kanë shkuar pranë të afërmeve të tyre në Gjermani nuk janë çregjistruar nga vendet ku rrinin dhe për këtë arsye rezultojnë si të humbur.

Artikulli paraprakArrestimi i ish-luftëtarit të UÇK-së tensionon raportet Kosovë-Zvicër
Artikulli vijuesLunacek : Pranimi i Kosovës në UEFA është një hap drejt fundit të izolimit