U testuan 30 mijë semimaturantë, testi u shpërnda në Facebook (Foto)

Mnistria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka njoftuar se sot në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës ka organizuar Testin e Arritshmërisë për klasat e IX- ta, test ky i cili do të jetë përcaktues në përzgjedhjen e drejtimeve në shkollimin e mesëm. Ka thënë se testit i janë nënshtruar rreth 30 mijë nxënës.

Por edhe këtë vit, si herët e kaluara, testi është shpërndarë në kohë reale në rrjetet sociale, dhe aty janë kumtuar përgjigjet për pyetjet e testit.

Përgjigje janë dhënë në pyetjet nga lëndët Gjuhës Shqipe, Matematikë e Histori.
Sidoqoftë, zëvendësministria e Arsimit, Anila Statovci- Demaj ka vizituar nxënësit në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë ku po mbahej testi, ku ka thënë se MASHT tashmë ka arritur një kulturë të mirë të organizmit të testeve, të pranuar nga të gjithë pjesëmarrësit në proces dhe ka uruar nxënësit për suksese në test, si dhe vazhdimin e shkollimit në nivelin e mesëm.

Ajo theksoi se, Testi i Arritshmërisë organizohet me qëllim që nxënësve t’u mundësohet shkollimi i mëtutjetshëm, duke qenë se përfundimi i klasës së IX- të shënon përfundimin e një cikli të shkollimit.

testi-fb

“Këtu nuk përfundon rruga e tyre e shkollimit, ata do të vazhdojnë tutje dhe kjo do t’ u shërbejë atyre si një informatë e rëndësishme për të parë afinitetet e tyre dhe për të parë mundësitë e tyre të shkollimit të mëtutjeshëm”, u shpreh zv.ministrja Statovci- Demaj.
testi fb

Ajo ka vlerësuar ecurinë e mbajtjes së testit në këtë Qendër të Testimit dhe përkushtimin e nxënësve për të përfunduar me sukses pyetjet, me të cilat po testoheshin njohuritë e tyre për këtë nivel të shkollimit.

“Diçka që ka qenë e pritshme dhe që u vërtetua është qetësia e plotë dhe organizmi jashtëzakonisht i mirë nga stafi i Ministrisë së Arsimit, në mbështetje të plotë të mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave. Gjatë kohës sa i vizitova u pa që nxënësit ishin të përkushtuar, të qetë dhe të bindur në aftësitë e tyre”, tha zv/ ministrja Statovci- Demaj.

Në anën tjetër, drejtoresha e ShFMU “Faik Konica”, Kumrije Sahiti bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mbarëvajtjen e testit për nxënësit e shkollave fillore “Elena Gjika” dhe “Xhemajl Mustafa”, të cilët testimit i janë nënshkruar në këtë shkollë dhe se nuk është vërejtur ndonjë parregullsi, e cila do ta dëmtonte këtë proces.

Pyetësori i Testit të Arritshmërisë përmban 100 pyetje, nga lëndët Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Matematikë, Informatikë, Histori, Gjeografi, Fizikë, Biologji dhe Kimi dhe organizohet në tri gjuhë: shqipe, boshnjake dhe turke.

Testi u organizua në 102 Qendra të Testimit dhe u monitorua nga zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Rezultatet e këtij testi pritet të shpallen më 30 maj.

Artikulli paraprakMSA’ja ul çmimin për veturat e reja
Artikulli vijuesSelmanaj: Turp e tradhti, vendimi i Kushtetueses për pronën kishtare në Deçan i ndikuar politikisht