“Siç merret vesh nga njoftimet zyrtare në një investim prej rreth 20 milionë dollarësh nga kompania “Xhonson Kontroll” në rajonin e Strumicës, aty priten të hapen 1500 vende të reja të punës. Në të vërtetë, aty dje u vendos gurthemeli i këtij investimi në zonën industriale. Në një sipërfaqe prej 13 mijë metra katrorësh do të prodhohen pjesë për mbulesa për industrinë automobilistike, ndërsa ato do të eksportohen në tregun evropian, ku “Xhonson Kontroll” tashmë plason prodhime të tilla edhe nga fabrika e saj në Shtip”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.
Sipas tyre, në këtë mënyrë numri i përgjithshëm i të punësuarve në këtë kompani në Maqedoni do të arrijë në rreth 3000 mijë, gjë që do ta zbusë ndjeshëm gjendjen e papunësisë në atë rajon të populluar me shumicë etnike maqedonase.
Ata theksojnë se zbutja e papunësisë është në favor të zhvillimit ekonomik të shtetit dhe kjo duhet përshëndetur, por për Lëvizjen BESA është shqetësuese se si, sipas tyre, të delegjetimuarit në protestën e 9 Majit të Këshillit Opozitar, pra BDI-ja, shtiret se merret me punë “madhore” – për shpëtimin e VMRO-DPMNE-së, përderisa harron të kujdeset për interesat e popullatës shqiptare.
“Siç e dimë, zona ekonomike në Tetovë, për të cilën BDI-ja ka gëlltitur disa mandate, akoma është djerrinë dhe aty mund të kullotin vetëm delet e Ali Ahmetit, por aty nuk ka asnjë investim më shumë. Me këtë rast theksojmë se Lëvizja BESA është i vetmi subjekt politik Maqedoni që ka platformë ekonomike, e cila do të kujdeset seriozisht dhe realisht për investimet e balancuara rajonale, për zhvillimin regjional, ndërsa investimet e huaja në vendbanimet shqiptare janë prioritet i jonë më i lartë. Ne konsiderojmë se shqiptarët sot kanë nevojë për një vende pune dhe për një jetë dinjitoze njësoj si bashkëqytetarët maqedonas, andaj në asnjë mënyrë nuk do të lejohet ky lloj diskriminimi”, përfundojnë nga Lëvizja Besa.