Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në selinë e partisë në Tetovë, Omur Sholendil, ambasador i Republikës së Turqisë në Maqedoni.
Siç theksohet në kumtesë, Ahmeti dhe ambasadori Sholendil bashkëbiseduan në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, mënyrat për tejkalim të krizës, bashkëpunimin bilateral midis Maqedonisë dhe Turqisë si dhe shkëmbyen opinione rreth zhvillimeve në rajon.
Ahmeti spjegoi gjithë ecurinë në drejtim të arritjes së marrëveshjes deri tek rikthimi i Kuvendit dhe anulimi i zgjedhjeve të paracaktuara më 5 qershor të këtij viti.
“Marrëveshja e Shkupit vijon të funkcionojë me të gjitha kapacitetet e veta ndërsa Qeveria e ka për detyrë që të zbaton reformat e kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar dhe uroi që ky proces i dakordimit të reformave të jetë gjithëpërfshirës”, theksoi Ahmeti.
Ai shprehu vlerësim për pozitën e Turqisë përballë krizës politike në Maqedoni dhe shprehu bindjen që dialogu midis palëve duhet të jetë në drejtim të rikthimit të sigurisë dhe stabilitetit në vend, ndërsa reformat e zbatuara duhet të krijojnë kushtet për zbatim të zgjedhjeve të besueshme, thuhet mëtej në kumtesën e Bashkimit Demokratik për Integrim.