Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë u plagosën si pasojë e një serie sulmesh ajrore në zonën e njohur tashmë si bastion i rebelëve në Alepo.
Një prej sulmeve goditi në afërsi të spitalit Bajan në qarkun lindor Shaar në orët e paradites.
Pamjet e publikuara pak më vonë tregojnë trupat e pajetë që u nxorën nga ndërtesat e shkatërruara dhe të djegura thuajse totalisht. Nuk është ende e qartë se kush është përgjegjës për ngjarjen e rëndë, por qyteti prej ditësh është kthyer në fushëbeteje mes forcave qeveritare të cilat duan të marrin kontrollin e qytetit nga duart e rebelëve.
Në një fjalim provokues të martën, presidenti sirian Bashar al-Assad premtoi se do të rimarrë “çdo pëllëmbë” të vendit nga kundërshtarët e tij.
Aleppo, tha ai, do të jetë vendi ku shpresat dhe ëndrrat” e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan të Turqisë – përkrahës kryesor i rebelëve – do të varrosen.
Fjalimi në parlamentin e sapo-zgjedhur të Sirisë ishte i pari i presidentit Assad që pas ndërprerjes së bisedimeve të paqes më 1 prill në gjeneve, të cilat ndërmjetësohen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Aleppo, dikur qendër komerciale dhe industriale e Sirisë, ka qenë e ndarë që nga viti 2012, me qeverinë që ka kontrolluar pjesën perëndimore dhe rebelët që kontrollojnë fraksionet në lindje. Por në muajt e fundit, forcat qeveritare të mbështetura nga sulmet ajrore ruse kanë rrethuar pothuajse zonat e mbajtura nga rebelët dhe kanë bllokuar një nga dy rrugët e rebelëve në Turqi.