Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Anton Berisha, ka komentuar kthimin e Vetëvendosjes në Kuvend, duke thënë se është në rregull edhe përgëzimi që i bëri Kadri Veselit veprimit të Partisë së Visar Ymerit.
Javë që lamë pas, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli e përshëndeti kthimin e Vetëvendosjes në parlament duke thënë se edhe AAK e NISMA duhet të kthehen.
“E përgëzoj ardhjen e VV-së në Kuvend. Pres shumë shpejtë që edhe AAK dhe NISMA për Kosovën t’i kthehen Kuvendit”, kishte thënë Veseli, duke e përgëzuar veprimin e partisë më të madhe opozitare të Kosovës.
Ndërkohë, Anton Berisha këmbënguli edhe njëherë tjetër se partia e tij nuk do t’i kthehet Kuvendit, për dallim nga “VV-ja e cila kishte marrëveshje me PDK-në”, raporton Insajderi.
“ E çka nëse nuk kthehet AAK? Sa di unë, ne nuk kemi marrëveshje me PDK-ne për t’u kthyer. Ata qe e kishin, ne rregull është, le te përgëzohen ndërmjet veti. Por, se paku, ne atë lojën e “kundërshtimit” le te na kursejnë nga shkëmbimet me fjalorë te rende e te ndyte”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në Facebook.
AAK e Vetëvendosje janë prishur pasi s’arritën t’i ndajnë pozitat në qeverinë e ardhshme, të cilën e kanë imagjinuar se do të mund ta bënin së bashku.