Kolegji i 4-t i Gjykatës së Lartë Administrative të Greqisë shqyrtoi apelimin e bërë nga 111 persona, të cilët e prezantojnë veten si “Qytetarët e Krishterë Ortodoksë Grekë”, me pretendimin se “ndërtimi i xhamisë do të kishte efekte negative në mjedis”.
Në vendimin e tij Këshilli i Shtetit grek thotë se gjatë ndërtimit të objekteve të kultit nuk ka nevojë për llogaritjen e ndikimeve mjedisore të tyre. Ndërsa për sa i takon respektimit të legjislacionit gjatë procesit të realizimit të projektit kjo është një diçka që do të kontrollohet pas përfundimit të objektit.
Qeveria greke ka në plan të ndërtojë nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Arsimit një objekt kulti me kapacitet rreth 350 vetë duke shndërruar një ish-hangar që ndodhet në lagjen Eleona të zonës Votakinos afër kryeqytetit të vendit. Tenderi për këtë projekt ka përfunduar rreth 2 vite më parë dhe projekti është miratuar edhe nga Ministria e Infrastrukturës së Greqisë. Për realizimin e projekti është vënë në dispozicion edhe rnjë buxhet rreth 1 milionë euro nga fondi ESPA i mbështetur nga BE-ja.
Athina sot është kryeqyteti i vetëm në Evropë që nuk ka një xhami zyrtare për banorët e saj myslimanë. Besimtarët myslimanë falen nëpër garazhet e magazinave dhe bodrumet e ndërtesave.