Një grup aktivistësh të shoqërisë civile u mblodhën para parlamentit shqiptar me mision kontaktin me deputetë të partive të ndryshme, për t’iu shprehur atyre kundërshtitë ndaj togfjalëshit “orientim seksual”, që pritet të futet në një nga nenet e Kushtetutës, në kuadër të reformës në drejtësi.
Sekretari i Forumit Musliman të Shqipërisë, Roald Hysa u shpreh se amendimi i nenit 18/2 të kushtetutës nuk ka asnjë lidhje me këtë reformë, që sipas tij, ka të gjithë përkrahjen.
“Ne kërkojmë që ky nen i reformës të hiqet, pasi e shohim si krejtësisht të dëmshëm për familjen dhe shoqërinë tonë. Për këtë janë njëzëri të gjitha komunitetet fetare në vend dhe normalisht ne përcjellim këtu edhe zërin e tyre”, u shpreh Hysa.
Si për të treguar paradoksin, deri dhe çmendurinë e martesave gej, prej së cilave një fëmijë ndëshkohet padrejtësisht që të mos ketë prindër të natyrshëm dhe mbi të gjitha normalë, Hysa bëri një paralele mes aktit makabër të vrasjes së një foshnjeje nga dy lezbike, ngjarje e ndodhur kohë më parë në Skoci, e asaj të një nëne si e ndjera Dhurata Prifti, e cila një ditë më parë humbi jetën nën rrotat e një makine për të shpëtuar fëmijët e saj.
“Vetëm një nënë e vërtetë mund të bëjë sakrifica të tilla sublime”, tha Hysa, duke dhënë mesazhin se në një martesë gejsh kjo nuk mund të ekzistojë.
Dhe, ndër ata deputetë që i janë përgjigjur ftesës së këtij forumi për të mos përkrahur atë nen kushtetues që u hap rrugë martesave gej, kanë qenë fillimisht Jorida Tabaku dhe Helidon Bushati nga PD-ja, ndërkohë që dhe Mesila Doda, mosprezente fizikisht mes tyre për arsye objektive, ka shprehur kundërshtimin e saj hapur dhe të flaktë për nenin në fjalë, sot e në çdo rast.
Amendimi i nenit 18/2 kërkon futjen e togfjalëshit “orientim seksual” në këtë pikë të Kushtetutës dhe në të ardhmen i hap rrugë ndryshimit të Kodit të Familjes dhe lejimit të martesave gay, e cila kundërshtohet me forcë nga komunitetet fetare si dhe nga një pjesë e madhe e shoqërisë civile. FMSH më herët ju është drejtuar për këtë problem 140 deputetëve të parlamentit shqiptar me një letër të hapur publike. /tesheshi.com/