Sadullah Bajrami: Me dhunë nuk bëhesh Reis

0
209
Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë nuk mund të merret me dhunë, por në mënyrë institucionale. Incidenti i sotëm i shkaktuar nga një grup personash vetëm dëshmon se pas këtij skenari qëndrojnë struktura të dyshimta. Kështu deklaroi për Zhurnal.mk teologu i njohur nga Kumanova, Sadulla Bajrami.  
 
Sipas tij, feja islame nuk toleron dhunë, por thirr në paqe.    
 
“Çdo mënyrë të dhunshme prej kujt do qoftë ne e dënojmë dhe nuk e përkrahim. Reformat të cilat dëshiron dikush t’i bëjë qoftë në institucion apo kudo qoftë, duhet të bëhet në mënyrë të qetë dhe ligjore. E në veçanti kur ne i përkasim një religjioni e cila thirrë në paqe dhe në mbizotërimin e logjikës, të të drejtës e jo dhunës”, tha për Zhurnal Bajrami, duke shprehur shqetësimin për mosreagimin e policisë në incidentin e sotëm në BFI.  
 
“Edhe ne jemi të habitur se si mundet në një institucion me peshë të madhe në këtë vend të mos ndërhyjë dhe parandalojë policia një incident të tillë. Apo vallë një gjë e këtillë është e përgatitur me skenar e në veçanti në këtë periudhë të vështirë që po kalojmë”, theksoi Bajrami, duke apeluar tek të rinjtë që mos bien pre e provokimeve të inskenuara nga çarqe të dyshimta.  
 
“Apo dëshirohet që faji të lihet mbi supet e myslimanëve dhe sikur të kishte ndodhur një skenar i tillë në Kishën Ortodokse Maqedonase vallë institucionet përgjegjëse do të kishin reaguar njëjtë apo do të kishin qëndruar duarkryq. Mesazhi im deri tek të rinjtë është që të jenë më të kujdesshëm në këtë periudhë dhe mos të bien viktimë të skenarëve të përgatitur nga çarqe të huaja”, potencoi mes tjerash teologu Sadulla Bajrami./Zhurnal