Erdogan: G20-a të punojë për reduktimin e papunësisë dhe varfërisë në botë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi për televizionin shtetëror kinez se G20-ja duhet të intensifikojë përpjekjet dhe mundësitë e saj për reduktimin e papunësisë dhe varfërisë në botë.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se G20-ja duhet të intensifikojë përpjekjet dhe mundësitë e saj për reduktimin e papunësisë dhe varfërisë në botë.

Kreu i shtetit turk, i cili po qëndron në qytetin Hangzhou të Republikës Popullore të Kinës për samitin e G20-s, që formohet nga vendet me 20 ekonomitë më të fuqishme në botë, dha një intervistë për televizionin shtetëror kinez.

Pasi rikujtoi se në samitin e mëparshëm Turqia i dorëzoi Kinës presidencën e radhës së G20-s, Presidenti Erdogan tha se takimi i mëparshëm i G20-s në Antalia ishte shumë i suksesshëm dhe shprehu mendimin se ky takim i nivelit të lartë, që do të mbahet të dielën nën kryesimin e Kinës, do të kontribuojë fortë në zhvillimin e mëtejshëm të organizatës.

Ai u ndal gjithashtu mbi agjendën e këtij samiti, ku marrin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të G20-s.

Duke tërhequr vëmendjen mbi dy çështje, të cilave rëndësi të veçantë u kushton edhe Turqia, Erdogan bëri me dije se mes pikave, që do të trajtohen gjatë samitit, janë punësimi i grave dhe i të rinjve, si dhe terrorizmi me krizën e refugjatëve, që formojnë një kërcënim të përmasave globale.

“Një tjetër çështje kryesore e samitit është edhe gjithëpërfshirja. Ekonomia kineze është e madhe dhe vazhdon të rritet me shpejtësi; por kjo duhet të jetë më gjithëpërfshirëse, sepse vetëm kështu mund të garantohet një e ardhme më e ndritur për popullin”, theksoi ai.

Lideri turk vlerësoi edhe rolin e Pekinit në qeverisjen e ekonomisë globale.

“Rezervat e Kinës në valutë janë 3 trilionë e 300 miliardë dollarë, vëllimi tregtar i saj është 3 trilionë e 200 miliardë dollarë, ndërkohë që ka edhe një suficit tregtar me vlerë 5 miliardë dollarë. Këto shifra janë të jashtëzakonshme për ekonominë e një vendi”, u shpreh ai.

Erdogan vuri në pah se Kina rezulton ekonomia e dytë më e madhe në botë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe premton të ardhme gjithashtu falë investimeve të saj në fushën e teknologjive të informacionit dhe infrastrukturës.

Në fund, kreu i shtetit turk foli edhe në lidhje me të priturat e tij nga samiti i G20-s.

“Mendoj se G20-a duhet të intensifikojë përpjekjet dhe mundësitë e saj për reduktimin e papunësisë dhe varfërisë në botë. Në këtë mënyrë G20-a do të ketë një ekonomi në një gjendje më të mirë dhe më shumë mirëqenie”, tha Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Artikulli paraprakDOBITË SHËNDETËSORE NGA MJEDRA
Artikulli vijuesZëvendëskryeministri rus: Brexit-i e ka bërë Europën më të dobët