Dilema nëse Mustafa Nano është i keqinformuar apo kërkon të keqinformojë në thelb është dilemë morale, por kjo mund të zgjidhet vetëm prej tij. Në një artikull të gjatë (shumë të gjatë) botuar tek Panorama e më pas tek Tema ai ngre pretendimin se “problemi me Islamin” nuk qëndron tek militantët e ISIS-it që prejnë kryet e pengjeve të tyre, por me muslimanët e zakonshëm, të cilëve Nano u mvesh kolektivisht një sërë qëndrimesh, bindjesh, axhendash që shkojnë nga misogjinizmi, mungesa e higjenës, armiqësia ndaj demokracisë, vetë-izolimin në geto etj, etj, etj. (I bej thirrje ndonjë lexuesi kurioz të lexojë rreth akuzave që ngriheshin kundra hebrenjve në prag të luftës së dytë botërore).
Do ishte një përpjekje sa e lodhshme e ndoshta e pafrytshme për të rreshtuar gjithë pasaktësitë faktike – pa filluar me ato interpretative – në artikullin tejet të gjatë të M. Nanos. Njerëzia shkon nëpër universitete e studion histori e sociologji për të kuptuar se getoizmi nuk është zgjedhje, por imponim dhe lista e studimeve historike e sociologjike për këtë është tejet e gjatë. Emigracioni, ngulin këmbë shumë nga sociologët më të njohur sot në botë, nuk është zgjedhje, por imponim strukturor – strukturash që nuk janë formësuar nga ata që i hynë detit me këmbë, e nganjëherë lënë jetën në të, por nga korporata nga vendet që presin emigrantët. Ka një lidhje strukturore të mirënjohur midis vendeve evropiane dhe emigracionit nga ish-kolonitë e tyre. Por Nano nuk ka nevojë për shfletime të tilla, pasi ai shkoi disa ditë në Belgjikë dhe kjo qe e mjaftueshme për ta “prekur me dorë” këtë relaitet kaq kompleks.
Është po aq e pavlerë të përpiqesh të shpjegosh se në mbi 1500 vjet të Islamit, të vetmit që e kanë lexuar Kuranin siç kërkon ta lexojë dhe të na e ofrojë M. Nano janë në fakt fundamentalistët e ditëve të sotme, se siç mund të provohet nga njerëzit me një lëçitje mesatare në historinë intelektuale të Islamit, Islami, ashtu si çdo fe tjetër në fakt, ka lexuar, interpretuar e operuar me tekstet në bazë traditash hermeneutike që nuk mund të futen dot në karikaturat që ka kaq kohë që sjell Nano në mediat publike, qoftë kur shkruan kundër emigrantëve sirianë, apo futbollistëve të kombëtares.
Tashmë më duhet të adresoj pyetjen: nëse është kaq e pafrytshme të përpiqesh të sqarosh M. Nanon, atëherë çfarë justifikojnë këto rradhë?
Ato që Nano shkruan për “emigrantët” në Evropë, shumë prej të cilëve nuk janë hiç emigrantë por të lindur e të rritur në Evropë, nuk sjellin asgjë të re, janë përsëritje të lodhura nga retorika raciste në Evropën e sotme. Nuk është çudi brohoritja në artikull për Trump-in, i cili paska shkatërruar korrektësinë politike. Problemi real qëndron se pasi ngre pretendimin se “problemi i vërtetë” janë muslimanët e zakonshëm që nuk therrin e presin, se është vetë feja dhe teksti kuranor që furnizon mesazhet e dhunshme, Nano kalon tek muslimanët shqiptarë, duke përcuar mesazhin se ata janë problemi, kërcënimi ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë dhe do të vazhdojnë të jenë të tillë për sa kohë që nuk bien dakort me mënyrën se si Nano kërkon që ata ta kuptojnë fenë!!! Ilustrimi i Nanos për këtë “rrezik islamik” janë futbollistët muslimanë që refuzojnë të shërbejnë si tabela reklamash për kompani birre: njëri refuzoi të ketë një shishe birre si reklamë gjatë konferencës së shtypit, e tjetri rrefuzoi të vishte fanellën ku kishte një reklamë birre.
Pak javë më parë, një sportist amerikan, Colin Kaepernick, refuzoi të ngrihej në këmbë gjatë këndimit të himnit e ngritjes së flamurit. “Unë nuk do cohem e të tregoj krenari,” tha ai, “për flamurin e një vendi që shtyp afro-amerikanët dhe njerëzit me ngjyrë.” Siç mund të pritet, pati shumë sulme ndaj tij, e madje edhe akuza se është konvertuar në musliman – e ai nuk është musliman. Vetë presidenti Obama e mbrojti të drejtën e lirisë së shprehjes së këtij sportisti, të drejtën e tij për të shprehur një qëndrim të tijin – qoftë edhe kur është ofendues ndaj kaq e kaq amerikanëve.
Nano, në sulmet e vazhdueshme ndaj këtyre sportistëve, në delegjitimin e qëndrimit të tyre si shprehje e një rreziku kombëtar e global (rreziku islamik), kërkon të delegjitimojë pikërisht këtë të drejtë shprehjeje. Në emër të vlerave të lirisë e demokracisë, Nano kërkon të mohojë pikërisht lirinë e këtyre sportistëve, qoftë si individë, por edhe si aderues të një bashkësie. Kjo është vetë tharmi i racizmit e bigotrisë. Nano, ashtu si shumë të tjerë në debatin tonë publik, huajzojnë retorikën raciste evropiane kundër “të huajve” dhe e vë në funksion të huajzimit të muslimanëve shqiptarë, të cilëve ai u kërkon të ofrojnë prova se janë mjaftueshëm shqiptarë.
Fakti që kjo lloj retorike që nxit paragjykim e diskriminim, frikë e urrejtje nuk sfidohet, tregon stadin e mjerë të diskursit tonë publik, që në fakt është edhe një tjetër tregues i stadit të demokracisë tonë. Ka kaq kohë që ky gazetar sulmon të drejtën e lirisë së shprehjes së dy sportistëve të mirënjohur dhe nuk ka asnjë reagim. Ka kaq kohë që ai shpalos karikatura njohjeje teologjike duke cituar Kuranin duke sugjeruar se “problem” është me fenë – një fe ku liria e aderimit në të është e mbrojtur në kushtetutë – duke paraqitur gjithë qytetarët shqiptarë që aderojnë në këtë fe si “rrezik” dhe nuk ka asnjë reagim. Diskursi që në një shoqëri me vlera progresiste do konsiderohej imoral, tek ne është normalizuar. E prandaj citimet e Nanos nga Kurani nuk janë fort larg retorikës së – fjala vjen – Kastriot Myftarajat që kallzon Kuranin në prokurori, e kjo pasi ka mbështetur një kriminel si Anders Breivik-u, ka brohoritur masakren e Sebrenicës e ka bërje thirje për përzënien e muslimanëve nga Ballkani. Problemi nuk është Nano. Ai është ilustrimi i nivelit të debatit publik ku racizmi, paragjykimi, padija dhe leximet rastësore paraqiten si opinion publik, si ekspertizë, e u jepet hapësirë mediatike.