STRASBOURG (AA) – Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg refuzoi çështjen e nisur nga familjet e tre civilëve boshnjakë të vrarë gjatë gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995. Në rastin Mehida Mustafiç-Mujiç dhe të tjerët kundër Holandës, familjet e viktimave të gjenocidit kanë vendosur të parashtrojnë ankesë ndaj vendimit të prokurorit holandez, për të mos ngritur akuzë penale të përgjegjësisë kundër tre paqeruajtësve holandezë të Kombeve të Bashkuara, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjykata hodhi poshtë çështjen të enjten duke shpjeguar vendimin e tyre me faktin se autoritetet holandeze kanë “hetuar mjaftueshëm rastin dhe kanë dhënë sqarime të duhura parashtruesit të kërkesës për ndjekje penale”.
“Në lidhje me hetimin, Gjykata konsideron se janë kryer hetime të gjera dhe të përsëritura nga autoritetet ndërkombëtare dhe kombëtare. Nuk kishte asnjë pasiguri afatgjate në lidhje me natyrën dhe shkallën e përfshirjes së tre ushtarëve, prandaj është e pamundur të arrihet në përfundim se hetimi ishte i paefektshëm ose i papërshtatshëm. Gjykata hodhi poshtë ankesat e parashtrueseve se vendimi ishte i njëanshëm, në kundërshtim, i paarsyeshëm apo i pajustifikuar nga pikëpamja e fakteve”, thuhet ndër të tjera nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Të afërmit e viktimave të Srebrenicës për vite kërkojnë ndjekje penale ndaj komandantit Thom Karremans dhe për dy ndihmësit e tij nga radhët e forcave paqeruajtëse holandezë të cilët ishin të vendosur në enklavën e mbrojtur të OKB-së, në Srebrenicë gjatë gjenocidit.
Prokurorët holandezë në vitin 2013 refuzuan të depozitojnë padi kundër tre paqeruajtësve, ndërsa një gjykata në prill 2015, ka refuzuar ankesën kundër këtij vendimi, pas së cilës familjet e viktimave vendosën ti drejtohen Gjykatës Evropiane.
Forcat serbe të Bosnjës të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç morën Srebrenicën në korrik 1995 dhe vranë më shumë se 8,000 boshnjakë. Ky njëherësh është edhe krimi më i madh i kryer në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.