Al Jazeera njofton se Franca ka deklaruar se do t’i kërkojë Gjykatës Ndërkombëtare Penale të hetojë krimet e mundshme të luftës të kryera në Halep.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Marc Ayrault, ka folur për një radio franceze, ku ka thënë se, “Ne nuk pajtohemi me atë që po bën Rusia, duke bombarduar Halepin. Franca është e angazhuar si kurrë më parë për ta shpëtuar popullsinë e Halepit.”
Ndërkohë që Vladimir Putin e viziton Parisin më 19 tetor, kryediplomati francez ka bërë të ditur se presidenti Francois Hollande do të marrë në konsideratë situatën në Halep para se të vendosë në do të takohet me të.
“Nëse presidenti vendos [ta takojë Putin-in], kjo nuk do të jetë për të bërë shaka,” ka sqaruar Jean-Marc Ayrault.
Rusia vendosi veton të shtunën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ndaj një projektrezolute të Francës që kërkonte t’i jepej fund menjëherë bombardimit të Halepit. /tesheshi.com/