Katër herë kanë filluar dhe janë ndërprerë gërmimet në Rashkë, vend i dyshuar për varrezë masive me trupa të shqiptarëve.
Familjarët e të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë kërkojnë që fati i të afërmve të tyre të pagjetur të jetë temë e bisedimeve në Bruksel. Në Kosovë llogariten ende si të pagjetur 1660 persona, prej tyre 75 për qind shqiptarë dhe të tjerët minoritete. Disa vende janë të identifikuara sikurse në Kosovë, po ashtu edhe në Serbi të dyshuara si varreza masive. Në këto vende të dyshuara Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur ka konfirmuar se nuk janë bërë as gërmime vlerësuese. Sipas anëtarëve të këtij Komisioni, zbardhja e fatit të të pagjeturve po zvarritet nga Beogradi.
Nysrete Kumnova, drejtuesja e shoqatës “Thirrjet e nënave”, rrëfen për “Zërin” se shumë prindër kanë ndërruar jetë në pritje të zbardhjes së fatit të fëmijëve të tyre, të rrëmbyer nga forcat serbe dhe të zhdukur po nga ta. “Ne duam që çështja e të pagjeturve të ngrihet edhe në Bruksel”, thotë ajo e mllefosur me institucionet që nuk po e trajtojnë këtë çështje. “Institucionet tona po heshtin totalisht për këtë çështje, ata vetëm po na lyejnë ‘kokën me akull’ dhe nuk ka asgjë”, thotë Kumnova. Familjarët e të pagjeturve kanë paralajmëruar bojkotimin e zgjedhjeve të ardhshme, kurdo që do të mbahen ato.
Sipas këtyre familjarëve, përfaqësuesit shtetërorë ka 17 vjet që nuk insistuan në zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre, kurse në anën tjetër kërkojnë votat për të përfaqësuar interesat e qytetarëve. “Kurrë më. Nuk do të dalim në zgjedhje, nuk kemi kë të zgjedhim. Nuk po e përfaqësojnë interesin tonë”, thotë Kumnova, e cila ka të zhdukur djalin e vetëm dhe thotë se po kërkojmë vetëm eshtrat e tyre. “Tashmë është e kuptueshme se ata nuk janë gjallë, ne po kërkojmë vetëm eshtrat e tyre dhe këto nuk po na japin. Duam të kemi varre për ta”, ka thënë ajo për “Zërin”.
Lidhur me të pagjeturit edhe Jelena Miliq, drejtoresha e Qendrës për Studime Euroatlantike, katër ditë më parë gjatë debatit me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiq, që po mbahej në televizionin “Pink”, e ka lëshuar studion pasi që kryeministri serb Vuçiq i ka thënë se ajo po flet kundër interesave të Serbisë.
Ky reagim i kryeministrit Vuçiq ka ardhur pasi që Miliq në një emision tjetër i kishte thënë një opinionisteje serbe se “A e di që ekzistojnë varreza masive të shqiptarëve në Serbi?”.