Askush nuk do ta ngatërronte cepin më verior të Finlandës me Silicon Valley, në SHBA. I ndodhur mes pyjeve me pisha të ulëta, vetëm 100 milje poshtë Arktikut, Oulu duket më e përshtatshme për të kullotur drerët sesa për të edukuar fillestarët në teknologji. Megjithatë, ky qytet njihet si baza apo kryeqendra e komunikimeve wireless, aspiratat e të cilit janë të prirura drejt inovacionit.
Në të gjenden edhe mijëra inxhinierë tepër të aftë, por në kërkim të një pune. Shumë prej tyre janë pushuar nga puna nga “Nokia”, kompania finlandeze dikur sinonim i telefonave celularë, ndërsa janë së fundmi mes rrezikut për t’u venitur në harresë.
Edhe pse sipërmarrësit “zihen” për t’iu ofruar punë këtyre personave të aftë, rregullat bujare për sigurinë e shoqërisë në Finlandë duket se kanë efektin e kundërt, dekurajimin e punësimit të tyre. Njerëzit e papunë, përgjithësisht nuk mund të fitojnë të ardhura shtesë në kohën që marrin përfitimet e papunësisë, përndryshe rrezikojnë të humbasin këtë asistencë.
Për punonjësit e shkarkuar nga “Nokia”, marrja thjesht e çekut të garantuar e të papunëve i bën ata ta shohin këtë propozim financiar si më të mirë, sesa të futen si “fillestarë” në një punë të re në Finlandë, aty ku industria e lëkundur e teknologjisë duket se po synon të gjejë balancimin sërish.
Tashmë, qeveria finlandeze po eksploron sesi t’i ndryshojë këto përllogaritje, duke nisur një eksperiment në formën e mirëqenies sociale: të ardhurat bazike universale! Duke filluar nga viti i ardhshëm, qeveria planifikon të përzgjedhë në mënyrë rastësore 2.000 të papunë, që nga programuesit e deri te punonjësit e ndërtimit. Këtyre do t’u ofrohen të ardhura automatikisht, duke shmangur burokracitë dhe duke eliminuar penalitetet për sigurimin e të ardhurave shtesë.
Qeveria duket se mezi pret të shohë se çfarë do të ndodhë më tej. A do të vazhdojnë më njerëzit të punojnë aty ku janë? Do të nisin biznese të reja? Sa persona do të ndalin së punuari dhe t’i shpenzojnë të ardhurat e tyre për vodka? A do të çlirohen ata që vuajnë mes pengesave të sistemit të papunësisë dhe a do t’i përdorin liritë e tyre për edukim të mëtejshëm, duke i bërë ata të përshtatshëm për karriera të reja më premtuese?
E siç shihet, këto hulumtime shtrihen përtej natyrës së politikave ekonomike, duke hedhur më shumë dritë drejt sferës së natyrës njerëzore. Përgjigjet, që priten të përcaktohen pas një periudhe dyvjeçare, pritet të rimodelojnë politikat e mirëqenies sociale përtej terrenit të njohur nordik.