Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim ka vendosur që të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme dhe shumicës së ardhshme parlamentare që do të drejtohet nga Lidhja Social-Demokrate që drejtohet nga Zoran Zaev.
“Vendimi i Kryesisë qendrore të BDI-së është që të reflektojë vullnetin e shqiptarëve të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit dhe të jetë pjesë e një qeverie në frymën e Marrëveshjes së Ohrit për të krijuar një shtet juridik dhe për të garantuar rrugën e integrimeve në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, pas mbledhjes së kryesisë që ka zgjatur më shumë se dhjetë orë.
BDI-ja ka kërkuar nga presidenti Gjorge Ivanov që të respektojë shumicën e re parlamentare dhe menjëherë t’i japë mandatin social-demokratit Zoran Zaev për formimin e Qeverisë.
BDI-ja gjithashtu ka diskutuar edhe lidhur me reagimet e shumta ndaj platformës shqiptare duke hedhur poshtë të gjitha akuzat se gjoja ajo rrënon karakterin unitar të shtetit. Partia që drejtohet nga Ali Ahmeti vlerëson se deklarata politike është në përputhje të plotë me Kushtetutën, e cila garanton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
“Këto janë çështje shumë parimore, shumë të rëndësishme që lidhen drejtpërsëdrejti edhe me përmbylljen e vetë Marrëveshjes së Ohrit, si një dokument i cili e prodhoi paqen, instaloi paqen në Republikën e Maqedonisë dhe aspak nuk është menduar bile që të bëhen lëshime të tilla”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, para mbledhjes së Kryesisë partiake.(REL)