Gabriel: Shqipëria është një partner i rëndësishëm i Evropës

Rama u takua në Berlin, me ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel, ndërsa pas takimit kanë mbajtur një deklarate të përbashkët për mediat, ku temë ishin zhvillimet në Shqipëri, por edhe rajon

Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe e konsideron vendin si një partner të rëndësishëm të Evropës, u shpreh sot shefi i diplomacisë gjermane, Sigmar Gabriel, në një deklaratë të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Berlin, raporton Anadolu Agency (AA).

Rama u takua në Berlin, me ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel, ndërsa pas takimit kanë mbajtur një deklarate të përbashkët për mediat, ku temë ishin zhvillimet në Shqipëri, por edhe rajon.

Gabriel ka deklaruar se Evropa ka mundësinë të bashkëpunojë me Shqipërinë dhe vendet fqinje të saj për paqen dhe stabilitetin.

“Shqipëria është kthyer në një partner të rëndësishëm të Evropës dhe ne dëshirojmë që këtë afrim të Shqipërisë ndaj BE ta avancojmë edhe më tej, ndërsa plani i hapave është në tryezë për këtë. Unë dua t’ju falënderoj për reformat që janë të lidhura me punën tënde në Shqipëri dhe për angazhimin tuaj personal për të përballuar sa më mirë disa konflikte në vendet e rajonit. Në periudhën e fushatave elektorale nuk është e thjeshtë t’i ndërmarrësh këto hapa, por besoj se pjesa më e madhe e shqiptarëve e dëshiron këtë përparim. Shqipëria ka mundësinë e madhe historike që t’i afrohet gjithnjë e më shumë Bashkimit Evropian”, u shpreh Gabriel.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë ka theksuar se Shqipëria është partner shumë i angazhuar për marrëdhënien “kaq të veçantë të Gjermanisë me rajonin.”

“Shpreh mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Gjermanisë ndaj Shqipërisë dhe rajonit, posaçërisht edhe për reformën themelore në drejtësi, ku falë mbështetjes suaj dhe mbështetjes së partnerëve të tjerë, ne jemi në një proces shumë të avancuar. Shpresojmë shumë që të jemi në lartësinë e sfidës, për të filluar zbatimin e reformës përmes Vettingu-t të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ashtu sikundër kërkohet dhe mirëkuptohet në rekomandimin e Komisionit Evropian, për të mundur pastaj që të çelim negociatat me BE-në”, ka deklaruar Rama.

Artikulli paraprak“Si mund të zhduken 9 mijë fëmijë në mesin e botës së qytetëruar”
Artikulli vijuesKambovski: Maqedonia është në krizë kushtetuese dhe politike