Bernie Sanders padit Trump: ka për qëllim vendosjen e Amerikës nën autoritarizëm

Bernie Sanders ndërmorri një sulm rrënqethës ndaj Donald Trump duke e akuzuar atë se është një gënjeshtar patologjik, që po e çon Amerikën drejt autoritarizmit.

Në një intervistë me “The Guardian”, senatori i pavarur që zhvilloi një fushatë emocionale për t’u nominuar kandidat i demokratëve në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, jep një vlerësim të zhveshur për Shtëpinë e Bardhë dhe qëllimet e saj.

Ai paralajmëroi se shpërthimet e diskutueshme të Trump ndaj medias, gjyqësorit dhe shtyllave të tjera të jetës publike amerikane duhet të llogariten si një sulm i ndërgjegjshëm ndaj Demokracisë.

“Trump gënjen gjatë gjithë kohës dhe unë mendoj se nuk bëhet fjalë për rastësi. Ka një arsye për këtë. Ai gënjen në mënyrë që të minojë themelet e demokracisë amerikane”.

Paralajmërimet e Sanders vijnë 50 ditë pasi Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë në një kohë kur vendi ende ndjen tronditjen e ngjitjes së një biznesmeni pronash të paluajtshme dhe ylli të shfaqjeve televizive, në postin më të pushtetshëm në botë. Gjatë kësaj periudhe, presidenti i ri ka ndërmarrë sulme mbi politikën e kujdesit shëndetësor të Obamës, ndaj qytetarëve të gjashtë vendeve me shumicë muslimane, ndaj refugjatëve dhe emigrantëve pa dokumente sikundër ndaj marrëveshjeve të tregtisë së lirë dhe programeve të mbrojtjes së mjedisit.

Në intervistën për “The Guardian”, Sanders shprehet i shqetësuar për atë që e auan “program reaksionar të Trump për heqjen e taksave ndaj miliarderëve dhe reduktimit shkatërrimtar të programeve që ndikojnë shtresën e mesme”. Por ai ia rezervon gjuhën më të ashpër për ato që ai beson se janë tendencat autoritariste të presidentit.

Ai e akuzon Trump se po përvijon një strategji të ndërgjegjshme gënjeshtrash për të denigruar institucionet publike kyçe, që nga media tradicionale e deri tek gjykatësit e madje edhe ndaj vetë sistemit elektoral, kështu që të mund ta paraqesë veten si shpëtimtari i vetëm i kombit. Qëllimi është të nxjerrë përpara mesazhin se “i vetmi person në Amerikë që del në mbrojtje të popullit amerikan, personi i vetëm në Amerikë që kupton është presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump”.

Marrëdhënia e brishtë e Trump me të vërtetën ka qenë një tipar dallues i administratës së tij axhamie. Ai tronditi analistët duke quajtur një gjykatës që bllokoi urdhërin e tij ekzekutiv për ndalimin e muslimanëve, “një i ashtuquajtur gjykatës”, akuzoi Obamën pa asnjë provë se ka përgjuar kullën Trump dhe pretendoi në mënyrë të rreme se deri në 5 milionë votues kishin votuar në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e nëntorit.

Sanders, sidoqoftë, sugjeron se gënjeshtrat i shërbejnë të gjitha një qëllimi. Për të nënvizuar idenë e tij, Sanders krahason presidentin e 45-të me atë të 43-të. “Xhorxh Bush ishte një president shumë konservator, unë e kundërshtova atë gjatë gjithë kohës. Por Xhorxh Bush nuk operonte jashtë vlerave të politikës amerikane tradicionale”.

Ndërkohë që vëmendja e medias mbetet e ngulët mbi Trump dhe bombardimin e përditshëm të postimeve të tij, senatori socialist Bernie Sanders në mënyrë të qetë e pa bujë është duke drejtuar një rezistencë mbarë-kombëtare ndaj administratës së re. Politikani i lindur në Bruklin po punon në bashkëpunim me ish-këshilltarët e fushatës së tij për të ngritur edhe një herë armatën e të rinjve që mbështetën kauzën e tij në vitin 2016.

/tesheshi

Artikulli paraprakKatër ministrat e rinj të qeverisë shqiptare: kush janë dhe pse u zgjodhën nga Rama
Artikulli vijuesNjeriu që plagosi Vllasin përmend edhe Isa Mustafën