Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili e përgëzoi atë për marrjen e detyrës së të parit të Qeverisë dhe për ndërtimin e institucioneve të reja të vendit.
Siç njofton zyra e Kryeminsitrit, Haradinaj dhe Meta, biseduan për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe për rrugën e përbashkët europiane të dyja vendeve.
Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë janë shembull në rajon dhe sidomos në fushën e zhvillimit dhe shkëmbimit ekonomik.
Haradinaj tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të shkëmbejnë përvojat e tyre në proceset integruese dhe në këtë kontekst është e pazëvendësueshme ndihma e Shqipërisë për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtare.
Kryeministri Haradinaj tha se Kosova ka hyrë në një dinamikë të re për sa i përket zbatimit të MSA-së dhe në përshpejtimin e procesit të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE.
Presidenti Meta nga ana e tij u zotua se shteti shqiptar do të vazhdojë me ndihmën e pakursyer dhe të gjithanshme për Kosovën, sidomos në agjendën euroatlantike.
Për Presidentin Meta, gjetja e një zgjidhjeje për demarkacionin e kufirit me Republikën e Malit të Zi si dhe dialogu me Serbinë janë çelës i suksesit të Kosovës në rrugën e saj integruese në BE. /Telegrafi/