Gjykata Speciale s’është në këmbim të integrimeve dhe Ushtrisë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka hedhur poshtë mundësinë që themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihet si Gjykata Speciale për krime luftë në Kosovë, është bërë në këmbim të favoreve për Kosovën, të cilat i ishin premtuar nga bashkësia ndërkombëtare, sikurse: liberalizimi i vizave, përshpejtimi i anëtarësimit në Këshillin Evropian, mbështetja për anëtarësim në UNESCO, themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe njohjet e reja.

Komentet e tilla, presidenti Thaçi i ka bërë të mërkurën në Prishtinë, gjatë takimitme presidentin e Republikë së Shqipërisë, Ilir Meta.

Presidenti Thaçi ka thënë se mban qëndrim të palëkundur se themelimi i Gjykatës Speciale për krime të luftës në Kosovë, është zgjidhja më e mirë, të cilën ai dhe lidershipi i vendit kanë bërë, në kuadër të rrethanave dhe kontekstit ndërkombëtar, në kohën kur edhe është marrë vendimi për themelimin e gjykatës.

Sipas tij, kjo ka qenë zgjidhja përballë mundësisë tjetër që çështja e themelimit të kësaj gjykate të bartet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Pra, shqetësimi im nuk ka të bëj me Gjykatën Speciale, pavarësisht efekteve të saj. Por, ka të bëj me gjendjen e rënduar të Kosovës dhe mungesës konkrete, praktike të perspektivës në familjen euroatlantike. Unë ju ftoj të gjithë juve, si mediume, me respektin më të lartë, që të prezantoni atë që ne deklarojmë, saktësisht dhe atë që ne e shkruajmë, saktësisht. Prandaj, as pendimi e as këmbimi, askund në fjalorin tim nuk ka qenë, por në zhargonin medial”.

Megjithatë, presidenti Thaçi, gjatë prezantimit të raportit për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale, të organizuar nga disa organizata joqeveritare në Prishtinë, ditën e hënë, kishte deklaruar se kishte marrë premtime nga bashkësia ndërkombëtare.

Që ta ruaj partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, pranova që ta udhëheq një proces të padrejtë historik ndaj Kosovës, përkundër opinionit masiv politik dhe qytetar ndaj kësaj gjykate. Nga bashkësia ndërkombëtare na u premtua se do të mund të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodhte liberalizimi i vizave shpejt, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do t’i themelojmë Forcat e Armatosura të Kosovës shpejt dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova mbajti fjalën, themeloi gjykatën. Bashkësia ndërkombëtare, asnjë nga këto premtime nuk i realizoi. Përkundrazi, Kosovës iu vështirësuar rrugëtimi euroatlantik”, pati thënë presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, njohësit e integrimeve evropiane, thonë se premtimet eventuale për të cilat presidenti Thaçi thotë se i ka marrë nga bashkësia ndërkombëtare, teknikisht janë të parealizueshme, për shkak të principeve me të cilat veprojnë mekanizmat evropian dhe shtetet veç e veç, të cilat janë pjesë e Bashkimit Evropian.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë se edhe në qoftë se në mënyrë hipotetike pretendohet se Kosovës i janë dhënë premtimet, për të cilat flet presidenti Thaçi, realizimi i tyre është problematik.

Nuk mendoj se është artikulim i drejtë ky, i thënë në këtë formë, kur dihet se si merret vendimi për procesin e liberalizimit të vizave. Nuk e di që është e mundur që 28 shtete dhe 28 përfaqësues që janë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, mund ta artikulojnë një qëndrim të tillë. Për më tepër, dihet që Kosovën, 5 nga këto 28 shtete, ende nuk e kanë njohur. Po flasim për situatë hipotetike për një premtim të tillë. Nuk mendoj që është bërë, por as nuk është e mundur që të realizohet”.

Profesor Mazreku thotë se procedura të prera ekzistojnë edhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, në të cilin përfaqësohen 47 vende. Ai nuk beson që 47 anëtarët kanë mundur ta japin premtimin për Kosovën.

Ndërkaq, sipas tij, për anëtarësim në UNESCO, kërkohet mbështetja e një numri shumë më të madh të vendeve.

Situata është edhe më e komplikuar, nëse ka arritur Kosova që të ketë një nivel përfaqësimi, përkatësisht të premtimit të asaj mase për ta garantuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Kjo është, po ashtu, njëjtë e aplikueshme edhe për organizatat e tjera ndërkombëtare”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, përmes një përgjigje më shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të dedikuara për punë të suksesshme të Dhomave të Specializuara në Hagë, si dhe mbështesin faktin që institucionet e Kosovës kanë bashkëpunuar për këtë çështje.

Bashkëpunimi i Kosovës në këtë proces do të jetë dëshmi konkrete e principeve themelore demokratike që sundimi i ligjit vlen njëjtë për secilin qytetarë. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare; ky përparim varet nga kriteret specifike të secilit institucion, ndërkaq Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë që të bashkëpunojnë ngushtë me Kosovën, për plotësimin e atyre kritereve“.

Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen e fuqishme përgjatë shumë viteve për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Vazhdojmë të mbështesim transformimin gradual profesional të kësaj force në Forca të Armatosura shumetnike në përputhje me standardet e NATO-s dhe përmes ndryshimeve kushtetuese, në konsultime me të gjitha bashkësitë në Kosovë“, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane në Kosovë.

Gjithashtu përmes një përgjigjeje me shkrim,Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, i tha Radios Evropa e Lirë se ky vend nuk i ka dhënë asnjë premtim Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale dhe se është e gabuar të thuhet ndryshe.

Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është i bazuar në kritere specifike për anëtarësim të vet atyre organizatave. Britania e Madhe punon për ofrimin e mbështetjes për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës”.

Gjykata Speciale është përgjigje e Kosovës ndaj raportit të (Dick) Martyt. Ky ka qenë hap i rëndësishëm që të tregohet gatishmëria e Kosovës që të gjendet e vërteta në atë që ka ndodhur gjatë konfliktit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë.

Artikulli paraprakMeta i kërkon Haradinajt të gjendet zgjidhje për demarkacionin
Artikulli vijuesPartitë politike intensifikojnë fushatën, por edhe i shtojnë gjobat