Është e vërtetë që perëndimorët mund të gjejnë disa probleme me ekstremizmin në Ballkan, por nëse duan ta gjejnë thelbin e problemit, nuk u duhet të shkojnë larg nga zyrat e tyre.
Përderisa sulmet e ISIS në dheun Evropian po bëhen pothuajse të përmuajshme, një numër mjaft i madh i raporteve dhe opinioneve mediatike që qarkullojnë në Perëndim po mundohen të gjejnë armiq tjerë – burime tjera kërcënuese ndaj Perëndimit, dhe posaçërisht Evropës. Një Evropë që duket se është e tmerruar nga shpeshtësia e sulmeve. Një Evropë që duket se ende nuk e ka të qartë situatën. E çuditshme në vetvete.
Përveç të dyshuarve të zakonshëm nga Lindja e Mesme, sytë po i drejtohen edhe Ballkanit, veçanërisht shteteve me shumicë myslimane të popullsisë sikundër janë Bonja, Kosova, Shqipëria, por edhe vendeve tjera që e përbënin ish-Jugosllavinë. Në qëndrimet dhe raportet e tyre, Ballkani po pasqyrohet si problem tjetër i Evropës dhe kërcënim i mundshëm terrorist. Janë dy burime kërcënimi që vjen nga Ballkani sipas këtij konturimi: i pari është kërcënimi i “armëve Ballkanike” dhe tjetri kërcënimi “ideologjia xhihadiste Ballkanike”.
Në dhjetor të vitit 2015, revista TIME i dha një mbështetje të majme kësaj lidhjeje. Duke argumentuar se “Evropa ballafaqohet me një kërcënim të ri”, ajo konkludoi se terroristët e Nëntorit 2015 në Paris përdorën armë të importuara nga Ballkani për ta kryer krimin e tyre të tmerrshëm. Ajo paraqiti Ballkanin si “gazsjellësi i armëve për Evropën Perëndimore.” Christophe Crépin, një zëdhënës i unionit policor të Francës, i tha revistës TIME se “ka lidhje mes krimit të organizuar dhe terroristëve, dhe një rrugë që vjen nga Ballkani.” TIME vazhdon duket përmendur disa sulme që janë kryer prej grupeve të vogla ndaj individëve të caktuar, grupe dhe vende në Evropë.
Vetëm disa ditë pas sulmeve në Paris, e përjavshmja Gjermane “Der Spiegel” ishte po ashtu e shpejtë ta bëjë lidhjen mes sulmeve dhe Ballkanit – për më shumë, ajo titulloi raportin e saj “Terrori në Paris: Shtegu i Ballkanit.” Raporti lidh një shtetas Malazias me armët që u përdorën për t’i masakruar më se 90 persona në teatrin Bataclan të Parisit. Pas përshkrimit të zakonshëm se Mali i Zi dhe shtetet tjera Ballkanike udhëhiqen nga mafiozët (duke harruar të potencojë se të gjitha janë të mbështetura nga qeveritë Evropiane) dhe se malazezi jetonte në një kuzhinë “të pistë” (në një Evropë të pastër), raporti, sigurisht, nuk harron t’i paraqesë Shqipërinë e Kosovën si lidhje. Shtetet e Ballkanit gjithmonë vjen lehtë në mend dhe përshtaten mirë me këto pretendime.
Pak kohë më parë, e përditshmja italiane Il Foglio publikoi një editorial, titulli i të cilit ngjasonte me “Çfarë nëse Kosova do të ishte kryeqyteti i ISIS-it në Evropë?” Artikulli i njëjtë është publikuar sërish në të përditshmet e Kosovës. Mendoj se përveç që pa dyshim kishte një titull të “klikueshëm”, artikulli bën diçka që bëjnë shumica e raporteve tjera – si zakonisht, fajin e vendos jashtë Evropës.
Artikulli i përmend sa si disa nga imamët e Ballkanit (nga Shqipëria, Bosnja dhe Kosova) po radikalizohen dhe po i rekrutojnë të rinjtë italianë. Prapë, problemi gjendet gjithandej në Evropë, por në Evropë. Çdo jo-perëndimor po e kërcënon Evropën paqedashëse e të pafajshme dhe përgjithësisht Perëndimin.
Jam i bindur se përveç disa detajeve thelbësore, shumica e gjërave që këto raporte parashtrojnë janë të vërteta. Nuk nevojitet rishikimi i tyre. Edhe drejtori i fabrikës së armëve Zastava në Serbi, për shembull, pranoi se disa nga armët e përdorura në aktet e fundit të terrorizmit në Evropë ishin njëmend të prodhuara në Serbi. Sidoqoftë, problemi nuk qëndron te faktet që na janë prezantuar kaq qartësisht. Problemi qëndron te përzgjedhja e fakteve, dhe se kërcënimi pasqyrohet dhe për Evropën.
Për shembull, një nga armët që u përdor në sulmet e Parisit i ishte shitur ligjërisht një kompanie të ShBA-së dy vite më parë. T’ia montosh Ballkanit supozimin se aty disi po bëhen komplotet ndaj Evropës me kërcënime terroriste është e tepërt. Çdo gjë bën. Vetëm merri të dyshuarit zakonshëm – Ballkani për krim të organizuar, tash me gjasë edhe për terrorizëm, dhe pastaj edhe Evropainët me “origjinë arabe”. Atyre u duhet vetëm të mos jenë Evropian “të pastër”, “të pandotur” dhe “të bardhë”. Përndryshe, do të na duhej ta ndërronim diskursin prej “terrorizmit” në “akte kriminale”, dhe “terroristin” në “psikopat”.
Gjithmonë, gjëja më interesante është se nuk ka fokus real në thelbin e problemeve më të mëdha që shpijnë drejt këtyre simptomave që i trajtojnë raportet. Për shembull, pse të fokusohet dhe raportohet për (proporcionalisht me kërcënimet të drejtuara botës) për morinë e tankeve, raketahedhësve, kamionëve ushtarake, antitank stingers, dhe armë tjera të prodhuara në Perëndim e të lëna në dorë të ISIS-it nga qeveritë e Amerikës, Rusisë dhe disa të tjerave, përmes të cilave të fundit okupuan suksesshëm qytete kyçe në Irak e Siri e shkaktuan kaos në tërë Lindjen e Mesme, duke i masakruar mija civilë dhe duke djegur ndërtesa të trashëgimisë antike kur dikush mund të përqendrohet në pistoletat dhe Kallashnikovët e prodhuar në Ballkan.
Pse të fokusohet në këto pajisje të rënda ushtarake të lëna në mënyrë kaq të pakujdesshme nga Perëndimi (përfshirë Evropën) në duart e organizatës më brutale terroriste që e ka parë ndonjëherë botë, kur mund ta fajësosh lehtësisht Ballkanin e “prapambetur” dhe “përherë problematik”? E çka sa i përket droneve perëndimore dhe ruse që i ka siguruar ISIS-i kohët e fundit? Pistoletat e Ballkanit ende vazhdojnë të jenë problemi i terrorizmit për Evropën.
Për fund, montimi që i bëhet disa shteteve të Ballkanit si burime të radikalizimit ideologjik të evropianëve, për të cilën Il Foglio pyet “Çfarë nëse Kosova është kryeqyteti i ISIS-it në Evropë?” Mendoj se është një pyetje shumë e mirë që meriton të përgjigjet vetëm pasi që publiku merr shpjegime për pyetjet që janë pararendëse ndaj kësaj. Për shembull: “çfarë nëse Italia nuk do e mbështeste pushtimin e Irakut?” Dhe “çfarë nëse burgu Bucca i mbajtur nga Perëndimorët, burg i cili prodhoi kokat e ISIS-it, nuk do të ekzistonte?” Ka shumë pyetje të llojit “çfarë nëse…” të cilat, po u gjendet përgjigja, nuk do të vinte puna të bëhej pyetja e mirë e Il Foglio-s.
Çështja e rëndësishme këtu është se, përkundër problemeve të shumta në Ballkan, dhe posaçërisht çështja e militantizmit xhihadist të cilën jam përpjekur ta zbulojë në mënyrë më precize, duket u munduar të bëhen lidhje kaq të paqarta që janë të barasvlefshme me gjetjen e gjilpërës në kashtë, opinionbërësit evropianë dhe perëndimorë në përgjithësi duhet t’i kërkojnë problemet aty ku ato gjenden.
Është e vërtetë që mund të gjejnë disa probleme dhe lidhje në Ballkan, por nëse duan ta gjejnë thelbin e problemit, atyre nuk u duhet të shkojnë larg nga zyrat e tyre. Në parlamentet e tyre kombëtare ku votohet se kush do të bombardohet në vazhdim. Ky është ndryshimi që ata duhet ta bëjnë. Po, ndryshimet politike do të ndodhin së shpejti në Evropë. Fatkeqësisht, ndryshimet duket se do të ndodhin drejt kahun e kundërt. E djathta ekstreme po rritet. Fajësimi dhe montimi ndaj të tjerëve në vend të vetvetes do të vazhdojë. Kjo do të thotë se problemi do të vazhdojë.
Pra, shumë lehtë mund të bëhet pyetja se a është Ballkani problemi i militantizmit xhihadist në Ballkan apo anasjelltas?