A guxojmë të flasim për Ambasada dhe çfarë ambasadori na duhet!?

Enis Reçica
E mira e një shoqërie të lirë është diskutimi lirshëm për, edhe, temat “tabu” të atij komuniteti. Temë e pafolur shumë në publik është edhe sjellja e ambasadave, apo ambasadorëve të shteteve që kanë ndihmuar Kosovën deri në pavarësinë e saj, e madje edhe po vazhdojnë ta ndihmojnë vendin tonë. Në publik mungon diskutimi, por privatisht nëpër odat e mbyllura diskutohet edhe për të metat e tyre. E madje, edhe për konceptin se politika, çdo herë është interes dhe kurrë moral. Prandaj, çdo mbështetje, nga gjithsecili është interes para së gjithash.
Sa herë që bëhet ndonjë kritikë ndaj tyre, pavarësisht a është e drejt apo jo, sulmimet, kryesisht, nga mvarësit politik orientohet në citimin e paprekshëm, apo në “ligjin” e pashkruar: Ata na kanë ndihmuar për me fitu pavarësinë. Dhe si pasojë e kësaj ‘dogme’ të pandryshuar, ne jemi të kufizuar ndaj çdo mendimi kritik ndaj tyre. Në shumicën e mendimeve qëndron gjykimi se, në rast kundërshtimi të ndonjë politike të ambasadave të këtyre shteteve përkrahëse, automatikisht je edhe kundër këtyre shteteve, e rrjedhimisht po e kundërshton përkrahjen e tyre që i kanë dhënë popullit tonë gjer tek lirimi e pamvarësimi. Por jo, duhet kuptohet njëherë e mirë, nëse je kundër një veprimi, nuk do të thotë të mos jesh falënderues edhe ndaj ndihmës së tyre dikur dhe gjithmonë. (Nëse bëni keq, e jam kundër atij gjesti tuaj, nuk do të thotë të jam edhe armik i juaji. Jam miku më i mirë i juaji, sepse si i tillë mund të ju kritikoj kur jeni gabim dhe anasjelltas).

 
Në këtë popull, edhe me u betua rrejshëm ndaj Zotit shihet më normale sesa ta kundërshtojmë ndonjë opinion, vendim apo politikë të shteteve mike e përkrahëse të shtetit tonë. Njëherë e mirë duhet ta dimë, se ambasadat nuk janë Zot. Edhe udhëheqësit e këtyre ambasadave, madje edhe politikbërësit e shteteve mike janë njerëz. E kësisoj edhe ata janë të gabueshëm. Sepse, besoj që i gjithë njerëzimi pajtohet që si qenie nuk jemi të pagabuar. E madje për ta vërtetuar këtë thënie, marrim shembull që as këta ndërkombëtar nuk janë aq të papastër në punën që kryejnë në vendin tonë. E rast i tillë është ai i punonjëses së Eulex-it, Maria Bamieh që akuzon këtë organ të BE-së për korrupsion. Por, as ambasadorët amerikan s’kanë mbetur pa u ‘perly’ në korrupsion. E për këtë ishte i gatshëm ish-ambasadori Christopher Dell, ku ky kishte bërë kogja lobim që projektin për ndërtimin e autostradës “Rruga e Kombit” ta fitonte kompania Bechtel dhe Enka. Lidhjet me këtë kompani u dëshmuan kur Delli u punësua nga Bechtel si drejtor shteti në Afrikë, menjëherë pas largimit të pozitës së tij në Kosovë. Madje, edhe Pieter Feith, udhëheqës i Zyrës Ndërkombëtare Civile (ICO), pasi u mbyll kjo zyre më 2012, kishte thënë për BIRN, se “Dell më ka thënë në terma shumë të qartë se unë nuk duhet të fusë hundët në kontratën me ‘Bechtelin’”. Këto fakte, argumentojnë mjaftueshëm që jo gjithçka qa thonë e bëjnë ambasadorët e personeli tjetër nga zyrat ndërkombëtare, është e mirë dhe e drejt për Kosovën e popullin e saj.

 
Por, për t’ia bërë një analizë qasjeve të ambasadorëve ndaj popullit, e ndaj politikës kosovare, atëherë ta bëjmë një lloj kronologjie krahasuese ndaj qëndrimeve të dy ambasadorëve, atij të SHBA-së Greg Delawie, dhe atij të Britanisë së Madhe Ruairi O’Connell. Përderisa, Delawie, dhe shteti që përfaqëson në Kosovë, është koncentruar në luftimin e korrupsionit, ai çdo herë koncentrohet në akuza ndaj protestave të opozitës. Ndërsa, korrupsionin të cilin e përmend ai gjendet, dukshëm, në institucionet e Kosovës sot e 17 vite. E për çudi, ky ambasador që thërret luftë kundër korrupsionit, përkrah subjektet e persona politik të njëjtë që prej pas luftës. E tani, i njëjti person akuzon qeverinë për korrupsion, por e njëjta ambasadë i ka përkrahur të njëjtit persona që të jenë në pushtet tash e paslufte. Dhe duke ditur që pa përkrahje të SHBA-së, asnjë person e asnjë subjekt politik nuk mund të vije në pozitë udhëheqëse në Kosovën tonë të “pavarur e sovrane”. Delawie, edhe njëherë vërtetoi që nuk merret asnjëherë me “problemin” që e dërgon popullin të protestoj, por merret vetëm me disa pasoja të turmës që synojnë ndryshime të rrënjësishme të skenës politike e jetës së tyre. Ai thotë “Kam neveri për liderët e VV, NISMA dhe AAK për atë çfarë kanë treguar sot. Rreth 17 vite më parë, mijëra qytetarë të Kosovës, ikën, vdiqën për të përjetuar pavarësinë. Ata që po gjuajnë gaz lotsjellës po ua mohojnë atyre një gjë të tillë”. Por, ky ambasador nuk po e përmend dhe nuk po flet që këta persona që janë në pushtet, e kundër të cilëve po protestojnë edhe një numër i madh i qytetarëve, janë ata që nuk kanë bërë asgjë për personat që po ikin nga Kosova, madje vetëm po i detyrojnë të ikin edhe më shumë. Nuk kanë bërë asgjë për personat që vdiqën, e shumë të tjerë që janë të zhdukur sot e 17 vite. E shumë të tjerë që vdiqën edhe pas luftës. E ky korrupsion që po flet ky ambasador që duhet luftuar, ai duhet të luftohet në këtë pushtet që e kemi tash e paslufte. Madje, ikjet që ndodhën në 2014 e 2015, si shkak i mirëqenies së keqe ekonomike, e si shkak i korrupsionit që gjendemi në krye të ranglistave botërore, e si shkak i papunësisë së 40 % të popullit, ikën nga keqmenaxhimi institucional vendor. Ky është shqetësimi i popullit, e me këtë breng duhet të merret edhe Greg Delawie dhe çdo politikan e njeri në Kosovë.

 
Por, nga ana tjetër, një ambasador, që asnjëherë të tillë nuk ka pas Kosova, ai i cili flet, përveç gjuhës së tij angleze, edhe gjuhën shqipe, e po ashtu edhe atë serbe, Ruari O’Connell, ka një qëndrim shumë më neutral. Ky po brengoset për popullin e për gjendjen sociale të tij, ku thotë “Për mua është shumë e rëndësishme që të krijohet një kulturë ku respektohet vullneti i popullit, por gjithashtu edhe kur sistemi i qeverisjes e i politikës të mundë të funksionojë. Duke folur me qytetarët e Kosovës është e qartë që për shumë qytetarë të Kosovës jeta është shumë e rëndë”. Madje, ambasadori britanez kujdeset që të diskutoj për shumë çështje me miqtë e tij në rrjetin social Facebook, ku rregullisht parashtron çështje diskutimi me ta. Ku breng e tij është jeta e qytetarëve të Kosovës. Por, edhe kërkon dhe përkrah drejtësinë. Ku kishte thënë me një rast “Me vjen mirë që më në fund, Kuvendi e largoi një nga deputetët e dënuar për krime lufte. As Kuvendi, as zyra publike, e as liria nuk janë vendi i duhur për njerëzit e dënuar për krime të rënda. Vendi i duhur është burgu”. Një ambasador si ky na duhet, ku ndërhyrjen në çështjet tona të brendshme i koncepton vetëm në të mirë të qytetarëve të këtij vendi, dhe jo në çështje të tjera.
Megjithatë, vet ne ua kemi dhënë këtë pushtet ndërhyrës në çështjet tona të brendshme. Këtë e kemi bërë me rastin e çdo krize politike, ku asnjëherë s’kemi qenë në gjendje që t’i zgjidhim ato vetvetiu. Pa e kërkuar ndërhyrjen e “Dragodanit” asnjëherë s’kemi ditur t’i kalojmë problemet e brendshme. Kështu që, edhe pse me shpresë që ndërhyrjet e ambasadave të jenë neutrale dhe për të mirë të qytetarëve, përfundojmë me besim që njëherë e mirë të vetëdijesohemi me një kulturë politike, ku brenga më e madhe e çdo subjekti politik dhe përfaqësuesi ndërkombëtar të jetë mirëqenia e qytetarëve të Kosovës.

Autori është student në master Integrime Evropiane dhe Administratë Publike 

Artikulli paraprakNëse fiton Trump, një ishull kanadez iu mirëpret
Artikulli vijuesProkuroria fillon hetim ndaj tre personave për Fondin e 3%-shit