Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë shprehur rëndësinë e aleancës së NATO-s për sigurinë globale, gjatë bisedës së tyre të parë telefonike, prej inaugurimit të Trumpit president i SHBA-së.
Sipas kumtesës së mbrëmshme të Shtëpisë së Bardhë, të dy liderët “janë pajtuar për rëndësinë fundamentale të NATO-s për marrëdhëniet më të gjëra transatlantike dhe për rolin e saj në sigurimin e paqes dhe stabilitetit të komunitetit tonë të Atlantikut Verior”.
Më herët, Trump i kishte brengosur disa aleatë evropianë duke e kritikuar NATO-n, të cilën një një pikë e ka quajtur “të vjetëruar” për shkak se nuk ka bërë sa duhet në luftimin e terrorizmit dhe duke thënë se shumë anëtarë nuk i kanë kryer obligimet e tyre financiare ndaj aleancës, transmeton REL.
Donald Trump dhe Angela Merkel, po ashtu, kanë diskutuar për “nevojën për forcimin e bashkëpunimit tashmë të fuqishëm në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe për të punuar në stabilizimin e hapësirave të konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore”.
Në deklaratën e përbashkët theksohet se është diskutuar edhe për Rusinë dhe Ukrainën, por nuk janë dhënë detaje.
Një zëdhënës i kancelares Merkel tha se Trump e ka pranuar ftesën e kancelares për të marrë pjesë në samitin G-20 në Hamburg të Gjermanisë, në muajin korrik.