A more avdes? – Histori e vërtetë shqiptare!

Ka pak kohë që kam dashur ta tregoj këtë histori të vërtetë. Historinë që po ju tregoj e kam dëgjuar nga një burrë i cili ishte i tillë në të gjitha kuptimet e fjalës dhe që nuk dinte të gë njente. Ky është një burrë mysliman i Shqipërisë së Mesme, ku unë kam habitatin tim natyror. Është nga ato burra që gjithnjë e më rrallë po shihen nëpër shtëpitë, rrugët apo lagjet tona. Mbaj mend që kështu ka qenë gjyshi im me disa shokë të tij në fshat. Burra me pas qejf me i pa, për pashi e me i dëgju për mençuri. Megjithatë nuk po e zgjas shumë këtë pjesë të përshkrimit e po hyj drejt e në histori.
Isha për ngushëllim te ky burrë, pasi i kishte vdekur gruaja dhe ia njihja familjen. Djali i tij, sapo unë hyra, i tregoi se unë isha prifti i Durrësit. Erdhi e më përqafoi. Është një burrë i madh me trup dhe i ka hije edhe përqafimi. U ulëm e filluam të bisedojmë shtruar, diku me humor e diku me seriozitet, sikurse bëhet në shumë raste kryshnoshësh për të larguar mërzinë e personave. Në një pikë të bisedës, ndërsa po flisnim për disa njerëz që i njhnin bashkarisht, dhe për fshatin nga ata vinin, nga rrethinat e Shijakut, më tregoi këtë histori.
“Unë që thu ti mor dom Gjergj jam myslimon praktikant. Shkoj e falem m’xhami rregullisht. Kshu jom eduku qysh kalamo vec mo at’her kur na i mylli Kishat e Xhamit ai që mos iu përment emni. Du me t’tregu kët histori, meqë ti e njifke zonën tonë se qeke ene vetë çun i zonës.
I dit t’premte shkova me u fal ke njona nga xhamitë e Durrsit. Shkova ene mora avdes sikur e kena zakon ne myslimont para se me u fal. Ene po pritsha kohën e faljes. Kur pashë se po kalojte aty afër prifti ortodoks që unë e njof qysh kalamo se jena rrit me i ven, kena punu at’here n’koprativ bashk. Ne me t’thon drejtën m’katun ton kena pas i harmoni aq t’modhe saqë ka qenë i burrë ortodoks, xha Pali, që ishte shok i ngushtë me babën tem, i cili i thojte çunave t’fisit vet: “Vreni ko e çuna se bo Zoti vaki ne ju shof tu pi duhon apo raki m’sy t’myslimonve për Ramazon, për Krisht ju kap m’shkop e ju boj helaq”.
U ndal pak e më hodhi një sy a po e ndiqja apo jo. Unë isha gjithë sy e veshë në fakt. E pa se po e ndiqja me vëmendje e vazhdoi.
“Nejse, si isha tu t’thon un ty? Po! Takova priftin ene u kapëm m’qaf se kisha ca kohë pa e pa. E pyta ne m’pyti për robt e shpisë, kalamojt, grun. Nejtën i cop herë vallai m’kom para derës xhamis. U knoqëm t’u bo muhabet. Pa orën ene m’tha:
– Jom t’u hik se kom shërbesën ke Kisha, se sot kena festë”. Mos gaboj isht n’prag t’Pashkve se m’u duk sikur m’tha: “T’pres për Pashk eee me gjith gru!”
– Hik – i thashë – se ene mu m’erdhi orari me fillu faljen.
U ndamë e unë u nisa drejt hymjes xhamis. Kur po m’nalon i çun i ri ene m’drejtohet içik si rrept:
– A more avdes?
– Po er bir si s’mora avdes baba ka gjys ore.
– Jo jo, a more avdes se ke taku e prek at priftin jam t’u thon?
E pash iher. Dom Gjergj me t’thon drejten m’u duk sikur m’u rrotullu xhamia. E pash ene i her tjetër ene sunt nejta dot pa ia thon nja dy fjal:
– Or çun i babs – i thash – je i ri, ne nuk t’vej baba faj. Po kur ka fillu baba me besu e me u fal m’xhami, as ti e as baba jot nuk keni pas le. At priftin që thu ti un e kam shok. Jam rrit me te, kam honger e kam pi me i ven. Sa her Ija ime ka shtru buk per te e sa here nona e tij ka shtru buk për mu. Po ju e t’keqen baba ju ka mor koka erë ene i keni hyp gamorit mrapsht e nuk dini se ça thuni. Se që ta dish ti baba ka qen kalamo kur Papa Razmi që ka qenë prift m’Durres, ne Mustafa Varoshi që ka qen myfti i Durrsit, bashkë me kryetarin e katolikve, dilshin e bojshin shëtitje m’darkët ne masanaj secili shkojte m’pun t’vet. Pranaj er çuni babs veni gishtin kokës e mos na e prishni kët t’shkume mire me shoqi shoqn. Hajt hik tëshi e falu e kërkoji Zotit falje për ça the.
Nuk foli mo ene hyni m’xhami. Kshu mor Dom Gjergj. Ene at’ dit kom pas një trishtim t’modh. Hyna n’xhami u fala e u luta për vete ene për at çun t’ri. M’erdhi gjynof e do Zoti ju t’rit vazhdoni si ne pleqt se ne hikëm mo ne i kena dit e numrume. Ishalla ju lojm permrapa. Na nimoftë Zoti iher e ti falimnerit që ke ardh sot”.
Të them të drjetën gati-gati u përlota nga tregimi i këtij burri, sepse ky në të vërtetë ishte realiteti, ai realitet i zonave tona ku unë jam rritur e që ndoshta shumë zona të tjera nuk mund ta kuptojnë. Ika me dëshirën për t’u kthyer ndonjëherë tjetër përsëri e për të folur me këtë burrë të mirë e të mençur.

DOM GJERGJI

Artikulli paraprakNatanyahu ka pranuar se Izraeli është duke luftuar në Siri
Artikulli vijuesAzhari do të formojë komision për studimin e shiizmit