A po i shkojnë Kosovës edhe 12 mijë hektarë?!

Ndonëse kanë kaluar më tepër se tri vite në takime dhe diskutime, çështja e demarkacionit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, ka mbetur ende e pazgjidhur. Banorët e brezit kufitar ( Kosovë- Mal i Zi) theksojnë se kërkesat e Malit të Zi janë të papranueshme.
Përfaqësuesi i banorëve të brezit kufitar( Kosovë-Mal i Zi), Ali Lajçi, i cili njëherësh është anëtari (në cilësinë e vëzhguesit) i Komisionit për demarkacionin e kufirit, ka thënë për Telegrafin se Mali i Zi po tenton që njëanshëm ta zgjidh problemin e kufirit me Kosovën.
 
Sipas tij, shënjimi i kufijve sipas asaj që parashihet të bëhet tani, është totalisht i papranueshëm për banorët e brezit kufitar, duke shtuar se “Komisioni i ngarkuar për zgjidhjen e kësaj çështje, është treguar i ngathët përballë këtij problemi”.
 
“Nëse realizohen kërkesat e palës malazeze, Kosova do t’i humb 12 mijë hektarë nga territori i saj. Zonat që Mali i Zi pretendon se janë pjesë e territorit të tij, kanë qenë të banuara vazhdimisht me banorë shqiptarë. Në vijën kufitare Kullë, Kosova dëmtohet rreth 5 kilometra (hyrje brenda territorit), nëse gjendja mbetet e tillë. Mijëra hektarë do t’i humbim më këtë marrëveshje në qarkoren Qakor-Moknë-Kullë”, ka theksuar ai.
 
Çështja e demarkacionit do të prolongohet derisa të respektohen interesat e banorëve të asaj pjesë, duke shtuar se “duhet të riformatohet Komisioni dhe të riformatohen kërkesat. Përndryshe, çështje do të mbetet sikurse tash, pa zgjidhje”.
 
Në anën tjetër, Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit shtetëror në sqarimin e bërë për punën dhe angazhimin e tyre, thekson se ata kanë shqyrtuar, analizuar dhe debatuar me ekspert, me zyrtar të lartë të Qeverisë Kosovës, me kryetar komunash dhe me qytetarë vazhdimisht çështjen e brezit kufitar.
 
Sipas tyre, për më shumë së tri vite komisioni ka kërkuar rregullisht dokumentacion lidhur me vijën kufitare nga të lartë cekurit.
 
“Gjatë analizave janë marrë për bazë të dhënat zyrtare kadastrale, hartat topografike, atlaset e ndryshme, skicat, është hulumtuar edhe terreni, janë bërë matje nga komisionet shtetërore. Veçanërisht është diskutuar me kryetarin e komunës se Pejës, ish kryetarin e komunës, Ali Berisha dhe tani me kryetarin aktual Gazmend Muhaxheri, me ekipet e tyre për vijën kufitare, të cilin e menaxhojnë dhe e posedojnë dokumentacionin në kadastrën e Pejës”, thuhet në njoftimin e tyre.
 
Ata theksojnë se Komisioni pret nga qytetaret dhe të gjitha institucionet e vendit që të ofrojnë ndihmën e tyre me dokumente apo në forma të ndryshme, të cilat do të mund të qartësonin çështjet pretenduese që kanë në bëjnë me shënimin e vijës kufitare.
 
Ndërsa, sa i përket dokumentacionit të përdorur nga ky komision për shënjimin e kufirit, ai sipas tyre, është i bazuar në dokumentacionin relevant shtetëror si vijon: Kufiri i Kosovës në harta kadastrale, 1974, 1988, 2015, Harta topografike me shkallë1:25.000, të viteve 1963, 1987, në Hartat topografike të KFOR-it nga qershori i vitit 1999, Atlase të ndryshme tematike, 1974, 1988, 2015, Harta historike të periudhave të ndryshme deri në ditët e sotme.
 
“Madje janë trajtuar, dokumente, shkresa, foto-skicat dhe koordinatat nga matjet e viteve ,1931/32, 1974-1988-2015, prej të cilave janë përpiluar dhe janë duke u përditësuar hartat kadastrale në shkallë 1:2500, për vijën kufitare me Malin e Zi. Është në përfundim edhe atlasi i gjithë dokumentacionit të trajtuar nga komisioni”, sqarohet në këtë njoftim.
 
Si dokument në shënjimin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, ky Komision ka përdorur edhe bazën e të dhënave të Komunës së Pejës me zonat kadastrale, ku sqarohet se kufiri ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi fillon prej tre kufirit Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi, me lartësi mbidetare 2366 metra dhe vazhdon nëpër kreshta malesh, të lartësive shumë të pa përshtatshme, deri te tre kufiri Kosovë, Mal i Zi, Serbi në lartësinë mbidetare 2155 m.
 
“Informatat në vijim për Zonat Kadastrale të Komunës së Pejës, janë nga baza e të dhënave të zyrës kadastrale në Pejë dhe në Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Të dhënat për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, përveç komunave Junik, Deçan dhe Istog(Burim), janë njëkohësisht të dhëna kadastrale pronësore-juridike të Komunës Pejë. Të dhënat e bashkëngjitura, janë nga viti 1974, në përputhshmëri me të dhënat e caktuara për kufi, sipas Pakos së Ahtisaarit, që ishin në fuqi me datë 31 Dhjetor 1988. Pakoja është ratifikuar në Kuvendin e Republikës se Kosovës me 17 shkurt 2008”, thuhet në këtë njoftim. 
 
Ndryshe, të enjten mbahet seanca plenare ku zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi do të jetë në interpelancë për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. /Telegrafi/
 
Artikulli paraprakPodujeva kërkon ndihmën e hoxhallarëve
Artikulli vijuesZyrtare: Ja sa milionë euro do t’i fal Qeveria e Kosovës