Glauku: E kuptoj pse Dardan Gashi gjuajti me armë, në oda njeriu bëhet trim edhe pa qenë

Glauk Konjufca ka folur në Kuvend lidhur me gjuajtjen me armë të zëvendëskryeministrit Dardan Gashi në odën e Fatmir Limajt.

Në interpelancës që po mbahet sot në Kuvend, Konjufca tha se nuk e arsyeton Gashin, por e kupton sepse “në odën e burrave dhe kur sheh që të tjerët po gjuajnë, të vjen të bëhesh trim edhe pa qenë hiç”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se numri dy i Qeverisë, Dardan Gashi, ka shkelur ligjin duke gjuajtur me armë, e më e keqja është se kjo ka ndodhur në shtëpinë e zv.kryeministrit tjetër, Fatmir Limaj.

“Natyrisht që kjo është një sjellje e keqe e një zyrtari të Qeverisë. Kemi pasur shkelje të ligjit prej të dytit të Qeverisë”, ka thënë Konjufca.

“Por, problemi merr dimension më shqetësues kur dihet se ku ka ndodhur. Pra, ka ndodhur në shtëpinë e zv.kryeministrit. E edhe më shqetësues bëhet kur merret vesh arsyeja pse janë mbledhur. Janë mbledhur për të festuar që zv.kryeministri ka dalë i pafajshëm prej drejtësisë lidhur me aktakuzën për korrupsion”, tha më tej ai.

Shefi i GP-së së VV-së komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Haradinaj, pasi u bënë publike pamjet ku shihej Gashi duke gjuajtur me armë.

“Kryeministri doli dhe e justifikoi, u përmendën traditat, kurse ministri i Drejtësisë ka qenë i rreptë për nga deklaratat, sepse këta vetëm në deklarata janë të rreptë”, ka thënë Konjufca.

E ai tregon se nuk e arsyeton Gashin por e kupton, sepse ka dashur të shesë trimëri.

“Në ato tubimet ku ka yndyrë e mish, e raki dhe ku shahirët grijnë, njeri bëhet trim edhe pa qenë hiç”, ka thënë Konjufca.

“Kur çohet Samia e gjun, çohet edhe gjun Endriti, thotë njeri çka kam unë që nuk gjuaj”. /Express/

 

Artikulli paraprakVatikani për mosnjohjen shtetin e Kosovës, arsyetohet se ka marrëdhënie të mira me Serbinë
Artikulli vijuesNë Klinikën e Syve u krye operacioni i rrallë