Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dëshiron ta ketë në radhët e saj Shpend Ahmetin, Kryetarin aktual të Prishtinës. Ahmeti ndodhet në situatë aspak të lakmueshme në partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.
Këtë mundësi po përpiqet ta shfrytëzojë partia e Kryeministrit Haradinaj. Shpend Ahmeti dhe Ramush Haradinaj tradicionalisht kanë pasur raporte të mira mes vete. Madje, para krijimit të FER-it, Ahmeti kishte negociuar kalimin e tij në AAK. Blerim Kuçi, i cili thuhet se po negocion me Ahmetin, ka folur për Express. Po, kemi afërsi me Ahmetin – ka thënë ai. Deputeti i AAK’së Blerim Kuçi thotë se janë duke përcjellë zhvillimet brenda VV’së. Megjithëse, sipas tij, nuk u gëzohen aspak kësaj krize, thotë se AAK’ja po pret se si do të rezultojë. “Pasi të shohim që kanë marrë naj vendim, atëherë ne do të bisedojmë”, i tha Blerim Kuçi Gazeta Express përmes telefonit, i pyetur nëse AAK’ja i ka bërë ftesë Ahmetit për të aderuar. “Me sa di unë ftesë nuk ka, por afërsi ka”, tha ai.
“Ne kemi afërsi [me Shpend Ahmetin]. Afërsi kemi, por asgjë zyrtare nuk ka”, përsëriti deputeti i AAK’së i pyetur për negociatat mes kryetarit të kryeqytetit me partinë e kryeministrit. Ndryshe, përplasjet të pasuara me dorëheqje në VV kanë rritur gjasat që kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti të marrë rreshtim të ri politik. AAK’ja e kryeministrit Ramush Haradinaj, sërish përmendet si opsioni më real që Ahmeti të vazhdojë rrugëtimin e tij politik. Madje, Ahmeti ka edhe një “borxh” ndaj partisë që sot bashkë më PDK’në e NISMA’n drejtojnë vendin.
Ramush Haradinaj, sot kryeministër, në vitin 2016 kishte hequr dorë nga ambicia e tij për shef të ekzekutivit, vetëm që Ahmeti të kandidohet për këtë postë nga bllokut i asokohshëm opozitar VV-AAK-NISMA. E pikërisht kjo kishte ndarë bllokun që shihej si shpresë për largimin e PDK’së nga pushteti një dekadë. Dardan Molliqaj, ish-sekretar organizativ i VV’së, kishte kundërshtuar që Ahmeti të jetë kandidati konsensual për kryeministër i bllokut opozitar.
Madje, këtë e kishte shprehur edhe me arrogancë e britma fyese, në një takim në oden e Haradinajve, në shkurt të vitit 2016. Për dramën e asaj nate deri më tash kanë folur nikoqiri Ramush Haradinaj e Bilall Sherifi me të cilin Molliqaj e kishte nisur përplasjen. Por edhe vetë tashmë i dorëhequri nga VV’ja kishte dhënë versionin e tij. I vetmi që ende nuk ka folur, as pas dy vitesh, është Shpend Ahmeti. Mbase, tash kur Molliqaj po mundohet ta bindë atë të rreshtohet në krahun e tij kundër “babë” Albinit, Ahmeti ka do ta thotë fjalën e tij.