AAK-Lidhja me biznesmenin e fuqishëm të lojërave të fatit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt ka pranuar donacion dhe anëtari i kryesisë së saj Haki Shatri punon për biznesmenin Astrit Krasniqi që dyshohet nga EULEX-i për udhëheqjen e një organizate kriminale që dëmtonte nëpërmjet haraçit rivalët në biznesin e lojërave të fatit. Astriti dhe vëllai tij Arbeni janë pronarë të dyqaneve të lojërave të fatit “Apex Games”, “Play 4 Win” dhe “Play 4 Cash”, që gjenden anembanë Kosovës.

Biznesmeni Astrit Krasniqi, që bashkë me vëllain e tij Arbenin shtriu biznesin e lojërave të fatit anembanë vendit, ka dhënë donacion për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe ka punësuar Haki Shatrin një anëtar të kryesisë së saj, ka zbuluar Gazeta Jeta në Kosovë.
Raporti i auditimit për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 2009, tregon se Astrit Krasniqi ka dhënë 5 mijë euro donacion për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës subjektin politik të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Jeta Rukiqi, bashkëshorte dhe përfaqësuese ligjore e bizneseve të Krasniqit, konfirmoi se Shatri është i punësuar si konsulent financiar në bizneset e lojërave të fatit, shkruan gazeta Jeta në Kosovë.
Astrit dhe Arben Krasniqi janë pronarë të dyqaneve të lojërave të fatit “Apex Games”, “Play 4 ëin” dhe “Play 4 Cash”, që gjenden anembanë Kosovës.
Shatri mohoi se punon për Krasniqin.
“Unë me Astritin jam shoqëruar në baza krejt private. Unë nuk kam punuar për ta. Por u kam dhënë këshilla”, deklaroi Shatri.
Thotë se këshillon miqësisht Krasniqin që të mos i ikë tatimit të akcizës.
Pohon se nuk është paguar ndonjëherë nga Krasniqi, por vetëm ka pranuar t’i paguajë dreka.
Ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, nuk ka komentuar financimin para katër vjetësh nga Krasniqi që aktualisht po mbahet në paraburgim nën dyshimet për udhëheqjen e një organizate kriminale që dëmtonte rivalët e saj në biznesin e lojërave të fatit. EULEX-i e përshkruan Krasniqin si njeri me ndikim në Kosovë.
“Pyetjet tuaja i kemi marrë dhe kemi diskutuar të gjithë dhe u morëm vesh që të koordinohemi se çfarë përgjigjesh do t’u dërgojmë që të mos dalim me fjalë të ndryshme në opinion”, ka thënë zyrtari financiar i AAK-së Valon Tolaj.
Por, përkundër këtij pohimi, as pas tri javësh pritjeje, AAK-ja nuk ka kthyer një përgjigje.
Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi Daut Haradinajn, deputetin dhe vëllain e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai fillimisht pohoi se është i gatshëm që të fliste lidhur me këtë çështje porse duhej terminuar një takim kur do të kishte kohë të lirë.
Por Haradinaj më pas nuk iu pëgjigj thirrjeve telefonike dhe mesazheve.
Ndërkohë vëllëzërit Krasniqi dhe një punëtor i tyre Arben Neziri, u arrestuan më 30 tetor të vitit të kaluar pas bastisjeve të shtatë lokacioneve të ndryshme në Prishtinë dhe në Pejë.
Fillimisht ndaj tyre ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Zëdhënësi i EULEX-it konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se hetimet ndaj tre të pandehurve janë zgjeruar dhe se është zgjatur masa e paraburgimit deri më 26 shkurt të këtij viti.
“Për të tre të pandehurit është shtuar akuza për posedim të paligjshëm të armëve, si dhe akuzë për drogë për njërin nga të pandehurit. Këto akuza janë shtuar pasi që këto janë gjetur gjatë operacioneve të bastisjes”, ka thënë zyrtari për informim i EULEX-it, Blerim Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.
Megjithatë, sipas Krasniqit, veprat kryesore për të cilat dyshohen të pandehurit janë krimi i oranizuar dhe detyrimi.

/gazetajnk/kohaislame

Artikulli paraprakKomuna vendos për rinisjen e procesit mësimor
Artikulli vijuesMicrosoft shtrenjton çmimin e tabletit ASUS VivoTab Note 8