AAK në Qeveri, veç me Ramushin kryeministër

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e gatshme të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike, nëse qeverinë do ta udhëheqë Ramush Haradinaj, thotë nënkryetari i partisë, Blerim Shala.

Por Rrustem Mustafa, nënkryetar i PDK-së, nuk pret bashkëqeverisje, pasi thotë se Thaçi dhe Haradinaj iu takojnë “shkollave të ndryshme politike”. Rexhep Selimi i VV-së thotë se Thaçi është i interesuar t’i ndajë “fajet” me AAK-në, jo pushtetin.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AKK) është e gatshme “të ofrohet si faktor shumë i rëndësishëm politik në rrethanat e reja politike”, pas lirimit të liderit të saj, Ramush Haradinaj, nga akuzat për krime lufte.

Nënkryetari i Parë i AAK-së, Blerim Shala, e sheh krejtësisht legjitime që partia kryesore në pushtet, PDK, ta ndërrojë “brenda natës” partnerin qeverisës, pa u mbajtur zgjedhje të reja.

Por, AAK-ja nuk hyn në bashkëqeverisje nëse nuk e merr postin e kryeministrit. “Çështja e kryeministrit është si çështja kryesore e menaxhimit të punëve; ai është njeriu kyç që organizon lojën e ekipit të vet. Dhe AAK-ja nuk hyn në qeverisje me menaxhim nga dikush tjetër”, tha Shala, në emisionin “Jeta në Kosovë”, transmetuar në radiotelevizionin publik të Kosovës.

Sipas Shalës, një qeverisje e udhëhequr nga Haradinaj do të ishte funksionale dhe do të ofronte rezultate më të mira. “Bindja jonë politike është se organizimi i sotshëm i politikës kosovare nuk prodhon rezultat të suksesshëm”.

Sipas tij, ndërrimet në qeveri mund të ndodhin pa shkuar në zgjedhje të reja. “Ne aspektin politik është legale dhe legjitime nëse ke shumicën në Kuvend, sikurse që Qeveria mund të bjerë nëse nuk e ke shumicën në Kuvend. Kështu qe nuk flitet për legalitet dhe legjitimitetit nëse nuk e ke partner të koalicionit dikë që ka shumicën e votave”, u shpreh Shala.

Por, Rrustem Mustafa, nënkryetar i PDK-së, “nuk pret qeverisje me AAK-në”. Sipas tij, qeverisja e Hashim Thaçit dhe e Ramush Haradinajt, janë “dy shkolla të ndryshme politike”.

“Shkolla e Hashim Thaçit, e cila është oportuniste dhe me hapa të lehtë dhe të butë, e cila si qëllim ka ta transferojë këtë shoqëri nga mentaliteti i robit në një shoqëri me mentalitet të lirë, demokratik dhe të ndërtojë institucione të vendit, është e kundërta e shkollës së Ramush Haradinajt; e cila është dinamike, konkrete dhe për bashkëqeverisje, forcim te shpejtë të institucioneve dhe e cila nuk do të jetë oportune. Unë besoj se Ramush Haradinaj nuk do të jetë shumë oportunist”, u shpreh Mustafa.

Kurse Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes, i cili ishte po ashtu pjesëmarrës në emisionin e Jeta Xharrës, tha se hyrja e AAK-së në koalicion me PDK-në është gabimi më i madh që mund të bëjë kjo parti.

“AAK-ja duhet ta kërkojë pushtetin nga qytetarët dhe jo nga pushtetarët. Hashim Thaçi nuk është i gatshëm t’i ndajë meritat me Aleancën; Hashim Thaçi është i gatshëm të ndajë fajet me Aleancën”, u shpreh Selimi, një ish-komandant i UÇK-së dhe ish anëtar i AAK-së. /kohaislame

Artikulli paraprakTë martën, takimi i radhës Thaçi-Dacic
Artikulli vijuesTre hoxhallarë të shquar dhe njëkohësisht tre kryebashkiakë të kryeqytetit shqiptar Tiranës