Abetarja e parë shqip në Austri

Fillimin e shkollimit të tyre nxënësit shqiptarë këtë vit shkollor do ta nisin me abetaren e parë në Austri, të botuar para pak javësh. Do të jetë vit historik në mësimin e gjuhës shqipe në raport kulturor mes dy popujve. Austria historikisht u dallua në mbështetjen e saj ndaj gjuhës e kulturës shqiptare.“Fibel –A-B-C- Abetare”, e autorit Hazir Mehmeti, u përkrah nga Ministria e Mësimit të Austrisë, kurse botues është E.Weber Verlag, i njohur për botimin e teksteve shkollore në Austri. Nxënësit do të furnizohen me abetare sipas porosisë së mësuesit dhe ajo do të jepet falas sikurse tekstet tjera mësimore.

Abetarja e re do t`i plotësojë nevojat në alfabetimin fillestar. Teksti tjetër i dedikuar kryesisht ushtrimeve plotësuese “Tekst ushtrimi 1” e plotëson hapësirën brenda orës mësimore kushtuar çdo shkronje duke e lehtësuar mësimin. Prindërit, fëmijët e të cilëve nuk mësojnë në shkollë shqip mund ta porosisin privat tekstin.

Mësuesve në diasporë iu shtua edhe një mundësi zgjedhjeje teksti në punën e tyre në alfabetizimin e nxënësve mërgimtarë. Bazuar në standardet e teksteve të kësaj natyre në gjuhën turke e kroate, kjo abetare është me elemente pedagogjike e metodike që i përgjigjen rrethanave dhe kohës në procesin mësimor.

Botimi i këtij teksti u prit me dashamirësi edhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Diasporës. Mësuesit në Austri, të interesuar për këtë abetare, tashmë e kanë porositur nga katalogu i teksteve mësimore për vitin shkollor 2013/14, shkruan albinfo.ch, ku mund të gjenden edhe detaje të tjera për të interesuarit që duan të porosisin këtë abetare./koha/kohaislame

Artikulli paraprakRreth 23 milionë kg miell importohen nga Serbia
Artikulli vijuesAfganët, të pakënaqur me dënimin e Balesit