Abraham Lincoln (Linkolni)

Presidenti i 16 amerikan Abraham Lincoln është një gjigand i historisë amerikane dhe njëri prej presidentëve më të famshëm amerikanë. Sipas një ankete të re, presidenti Linkoln është i treti për nga popullariteti, pas Ronald Reaganit dhe Bill Klintonit.

Por trashëgimia e tij është më e madhe se roli i tij historik, shpjegon historiani Tom Schwartz:
“Idealet që u përpoq të shprehte Linkolni dhe ato që po përpiqej të realizonte në atë kohë ende janë të vlefshme sot. Por të mos harrojmë karakterin e Linkolnit, që e vë këtë ish president amerikan në rangun e një figure të historisë botërore dhe jo thjesht kombëtare”.
Kriza e madhe e historisë amerikane ishte edhe krizë e presidencës së Linkolnit – kryengritja që u shndërrua në Luftën Civile Amerikane. Në thelb të konfliktit ishte integriteti i bashkimit kushtetues të Amerikës si dhe liria e amerikanëve të skllavëruar. Por Linkolni e pa këtë luftë edhe si përpjekje për mbijetesën e demokracisë.

“Linkolni e konsideronte këtë si një moment kritik kur ky eksperiment amerikan me një qeveri demokratike ishte në rrezik dhe mund të mos mbijetonte. Prandaj Linkolni nuk po përpiqej vetëm për mbijetesën e kombit por edhe për idealin më të madh se çfarë simbolizonte Amerika për botën”, thotë historiani Schwartz.

Fjalimet dhe shkrimet e Linkolnit, shumë prej të cilave gjenden në Bibliotekën e Springfildit, ishin aq të fuqishme, thonë historianët, saqë kanë lënë gjurmët e tyre edhe në kulturën botërore:
“Leon Tolstoi, romancieri i famshëm rus e konsideronte Linkolnin si një Krisht në miniaturë. Mahatma Gandi thoshte se Linkolni ishte një burrë i madhërishëm shteti, ndërsa Margaret Thatcher është shprehur se ishte një simpatizante e madhe e ish-presidentit amerikan”, thotë zoti Schwartz.

Kur ish-presidenti vdiq nga një atentat në një teatër të Uashingtonit në vitin 1865, një mik i tij shprehu tronditjen që ndjeu mbarë vendi për këtë humbje duke thënë “Tani ai i takon përjetësisë.” Pa dyshim për kohën tonë kjo shprehje është ende e vërtetë./voa

Artikulli paraprakGuajana njeh pavarësinë e Kosovës
Artikulli vijuesSa kalori djeg një klikim në mouse