Adhurimi dhe efeketi i tij në shpirt dhe trup

Nga virtytet e Islamit është se ai është një fe madhështore që përfshin çdo aspekt të jetës së njeriut pa e ndarë adhurimin nga sjellja dhe as diturinë nga puna.
Nuk ka dyshim se qëllimi i ekzistencës tonë është adhurimi i Zotit, por një nga qëllimet e tjera të mëdha të adhurimeve që janë të përcaktuara në Islam është pastrimi i shpirtrave dhe pasurimi i tyre me virtyte të larta, në mënyrë që besimtari të bëhet një musliman zbatues i ligjeve të Zotit dhe i sjellshëm me njerëzit. Ky qëllim dallohet edhe në ritin e faljes së namazit për të cilin Zoti thotë: “ Dhe fale namazin! Vërtetë, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar.” (El-Ankebut: 45)
Gjithashtu adhurimi i Zotit përmison shëndetin mendor dhe fizik. Njeriu përbëhet nga trupi dhe shpirti dhe të dy duhet të ushqehen në mënyrë që të vazhdojnë ekzistencën dhe aktivitetin e tyre. Ushqimi i trupit është i njohur dhe konsiston në ato produkte të ndryshme të konsumuara nga njeriu, kurse ushqimi i shpirtit, shumë prej njerëzve tregohen të pakujdesur ndaj tij, sepse ata nuk mobilizohen shpirtërisht për të shmangur rreziqet që rezultojnë nga pakujdesia ndaj tij. Shpirti ka nevojë si ushqim të tij adhurmin dhe kryerjen dispozitave të Krijuesit. Kjo është provuar në një sërë studimesh që frekuentimi dhe ndjekja e riteve fetare ndihmon dukshëm në komunikimin e mirë me njerëzit dhe në përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor.
Ndikimi pozitiv i adhurimit në shëndetin psikologjik dhe fizik, ndër të tjera ndodh, sepse:
Ritualet fetare largojnë stresin, normalizojnë tensionin dhe reflektojnë pozitivisht në sistemin imunitar.
Ritualet fetare përbëhen nga lëvizje gjimnastikore të shoqëruara me një qetësi të veçantë shpirtërore dhe mendore.
Ritualet fetare të cilat kryhen kolektivisht lehtësojnë komunikimin me individin dhe integrimin e tij në një mjedis tjetër që mund të jetë i ri për të, shmangin në këtë mënyrë vetminë dhe izolimin nga bota dhe e bëjnë më të thjeshtë për besimtarin që të frekuentojë xhaminë. Përkushtimi ndaj ligjeve të Zotit pengon individin nga konsumimi i ushqimeve të dëmshme dhe nga angazhimi në vepra të pamoralshme. Kështu trupi i tij rritet dhe zhvillohet i shëndetshëm, ndërsa shpirti i tij i pastër nga efektet e veseve dhe veprave të pahijshme.
Performanca e këtyre akteve të adhurimit për Krijuesin e qiejve dhe të Tokës i japin besimtarit ndjenjën e sigurisë dhe qetësisë për aq kohë sa ai qëndron me bindje përpara të Madhërishmit, Fuqiplotë.
Këtë veçori të adhurimit të Zotit do ta spikaste edhe i dërguari i Zotit, profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të), kur i thonte muezinit të tij, Bilalit: “O Bilal na qetëso me namaz!”, pra lajmëro për fillimin e faljes së tij. Ky është një realitet të cilin na e përmend edhe Zoti në librin e Tij të shenjtë, Kuranin: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Er-Rad: 28)
Njeriu kur përjeton momente apo situata të rënda ndjehet i shtyrë drejt përkujtimit dhe adhurimit të Zotit të tij, kjo shërben edhe si një pikënisje e mirë për të për një aktivitet fetar deri në vdekje.
Studiuesit pas studimesh të gjata kanë zbuluar se rreziku i vdekjes së papritur ishte rreth 52 për qind në mesin e atyre që nuk praktikonin ritet fetare kundrejt 17 për qind për ata që i përkushtohen Zotit me adhurime.
Balanca midis shpirtit dhe trupit është shumë e rëndësishme, pasi nevoja e tyre për njëra tjetrën është e madhe dhe vakumi fetar në jetën e individit apo të shoqërisë shton problemet psikologjike e deri edhe vetvrasjen, sic ndodh rëndom sot në shumë shoqëri njerzore.

Artikulli paraprakNëse dëshiron të dish gjendjen tënde në varr
Artikulli vijues7 këshilla për fëmijet tuaj nga Tradita Profetike