Aftësimi profesional i dyfishtë

Shumë të rinj nuk janë të kualifikuar mirë. Ata mezi gjejnë vende pune. Përkundrazi, në Gjermani ka relativisht pak të rinj pa punë. Në botë po rritet interesimi për sistemin gjerman të aftësimit profesional.
Monica Cuevas është optimiste. Me xehetarinë në atdheun e saj punët do të shkojnë mirë vitet që vijnë, thotë përgjegjësja për bashkëpunimin akademiko-shkencor në Ambasadën e Kilit në Berlin. “Ne llogarisim me investime prej njëqind miliardë dollarësh në tetë vitet e ardhshme.” Pas kësaj në xehetari do të ketë nevojë për 50.000 punëtorë të rinj. Në fakt një lajm i mirë për një nga vendet më të pasura me lëndë të para në Amerikën e Jugut.

Po dhe jo, sepse këta punëtorë duhet të jenë edhe të kualifikuar mirë, thotë Monica Cuevas. „Dhe për këtë na duhet një kuadër institucional.“ Përpilimin e tij vendi po punon ta realizojë, thotë ajo. Në këtë kuadër ajo ka edhe mbështetjen e Institutit gjerman për aftësimin profesional, shkurt BIBB, në Berlin. Një institut, i cili merret me hulumtimin dhe përmirësimin e kualifikimit profesional dhe atij të mëtejshëm në Gjermani. Edhe bashkëpunimi ndërkombëtar në arsimin profesional bën pjesë te detyrat e institutit.

Jo vetëm kompetencë profesionale, po edhe zhvillim personaliteti
Aftësimi profesional i dyfishtë në Gjermani mund të ndikojë në mënyrë përcaktuese për Kilin, thotë Monica Cuevas. Kjo është forma më e përhapur e kualifikimit profesional në Gjermani dhe bazohet te kualifikimi praktik në ndërmarrje dhe te kualifikimi teorik në shkollën profesionale. Zakonisht ai zgjat ndërmjet dy dhe tre vjet e gjysmë. Gjatë kësaj kohe nxënësit punojnë tre ose katër ditë në ndërmarrjen, e cila i kualifikon. Në ditët e tjera ata ndjekin shkollën profesionale.
Gjatë kësaj kohe nxënësit nuk mësojnë vetëm lëndë profili, po në planin mësimor ka edhe lëndë të formimit të përgjithshëm, si politika, gjermanishtja, apo feja. Me anë të kësaj synohet që krahas kompetencës në specialitet të nxiten edhe kompetenca sociale dhe zhvillimi i personalitetit. „Kjo ka të bëjë shumë me këndvështrimin tonë për profesionin“, thotë Birgit Thomann, përgjegjëse e sektorit Ndërkombëtarizimi i formimit profesional në Institutin BIBB. „Dhe definitivisht ky është një avantazh i kualifikimit profesional në Gjermani.“

Veçori unike: aftësimi profesional i dyfishtë
Një avantazh tjetër është fakti që të gjitha palët e përfshira bashkëpunojnë ngushtë njëra me tjetrën. Landet gjermane hartojnë plane mësimore, dhomat e tregtisë, të industrisë dhe të zejtarisë i kontrollojnë provimet përfundimtare dhe në ndërmarrje ka mësimdhënës të kualifikuar. Një sistem të krahasueshëm ka vetëm në pak vende të tjera, për shembull në Zvicër dhe në Austri, thotë Birgit Thomann. Në shumicën e vendeve të tjera të rinjtë pas shkollës ose shkojnë drejt e në profesion (dhe kjo pa formimin profesional specifik) ose studiojnë. Alternativa të tjera gati nuk ka. Një kualifikim profesional klasik si ai gjerman nuk është aq i njohur dhe nuk gëzon reputacion të veçantë.
Në sfondin e krizës ekonomiko-financiare sistemi gjerman i aftësimit profesional konsiderohet si model me të cilin mund të mburresh. Kjo sepse numri i të rinjve të papunë është relativisht i lartë. Në vende të përfshira nga kriza, si Spanja dhe Greqia gjysma e të rinjve kërkon për punë. Ndryshe nga kjo në Gjermani shkalla e papunësisë në grupin e të rinjve nga 15 deri 24 vjeç është vetëm tetë për qind. Me gjasa kjo është njëra nga arsyet përse në botën e jashtme po rritet interesimi për sistemin e aftësimit profesional të dyfishtë. Për shembull në Kinë dhe në Indi, por edhe në disa vende evropiane./dw

Artikulli paraprakVizioni dhe botëkuptimi i themeluesit të organizatës Gallup
Artikulli vijuesBosnjë: Pesë të ndaluar në hetimin e terrorizmit