Agrobizneset me perspektivë

Duke parë potencialin e madh zhvillimor që ka sektori i bujqësisë në vend, shumë kosovarë janë orientuar në hapjen e agrobizneseve, të cilat po ndikojnë edhe në rritjen e punësimit në zonat ku ato operojnë.
E investimet të cilat kërkohen për hapjen e një agrobiznesi, vlerësohen se janë mjaft të kushtueshme, pasi sot kërkohet edhe teknologji më moderne për prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore. Krahas kësaj, agrobizneset në vend, vazhdojnë të ballafaqohen edhe me mungesën e financave dhe kushtet e vështira të kreditimit.

Megjithëkëtë, ekspertët e ekonomisë, vlerësojnë se është koha që kosovarët të orientohen drejt këtyre bizneseve, e të lënë bizneset tregtare, të cilat sipas tyre janë në numër mjaft të madh në vend.

Alban Ibrahimi nga Kompania “Moea”, nga Gjilani tregon për portalin “Ferma Ime” se ka filluar me kultivimin e pemëve në vitin 2006, pas privatizimit të disa hektarëve tokë me pemë. “Pas investimit në mbjelljen e pemishteve të reja , për një periudhë gjashtë vjeçare kemi arritur t’i mbjellim, rreth 100 hektarë me pemë, paralelisht me te, ne kemi filluar në vitin 2009, investimet edhe në përpunimin e pemëve për brendin ‘Frutomania’”, ka treguar Ibrahimi.

Ai thotë se në fillim kanë hasur në probleme, sa i përket furnizimit me pemë, por me punë dhe angazhim kanë arritur të prodhojnë pemë në sasi të mëdha, e po ashtu edhe të angazhojë grumbullues të tjerë.

“Aktualisht kemi arritur t’i kemi 300 furnizuese të pemëve, prej tyre mbi 120 janë të mollëve, kurse pjesa tjetër janë grumbullues edhe prodhuese të frutave të tjera. Ideja në kompaninë tonë, është që pemët e përpunuara të jenë të freskëta, përderisa lëngjet të jenë pa sheqer, pa konzervansa e shtesa tjera”, ka thënë Ibrahimi.

Ai thotë se sa ai përket kthimit të investimeve në agrobiznese, nevojitet kohë por duhet bërë edhe planifikime afatgjate. “Ja vlen me u marrë me agrobiznes nëse ke plane afatgjata. Ne edhe sot kemi vështirësi, por me punë po ia dalim, pavarësisht kësaj ia vlen me u marrë me ketë veprimtari, por që duhet me qenë shumë i durueshëm dhe me planifikuar që kthimi i plotë të jetë pas 7 deri në 10 vjetësh”, thotë Ibrahimi, për “Ferma Ime”.

Ai shprehet i pakënaqur me sistemin e marketeve në Kosovë. “Vështirësi tjetër është edhe tregu ku sistemi i marketeve të Kosovës, është sistem që po e vënë në probleme të mëdha sistemin e prodhimeve vendor”, tha Ibrahimi. Sipas tij, në kompaninë “Moea” në Gjilan në mënyre permanente janë të punësuar deri në 43 veta, kurse ky numër gjatë sezonit kur ka vjelje të pemëve shkon deri në 350 punëtorë.

Ndërkaq, eksperti i ekonomisë, Musa Limani, vlerëson se mungesa e një strategjie të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik, po ndikon që vendi të ketë trende negative ekonomike.

Për këtë arsye, sipas tij, në vend është edhe një numër i madh i bizneseve që veprimtari kryesore e kanë tregtinë. “Duke parë se sektori i bujqësisë, është një sektor që ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit, kosovarët duhet të lënë bizneset tregtare dhe të orientohen hapjes së bizneseve që veprimtari kryesore e kanë bujqësinë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të rritet zhvillimi dhe punësimi në vend”, thotë Limani, për portalin “Ferma Ime”.

Hapja e bizneseve në këtë sektor, sipas profesorit Limani, do të ndikonte që vendi të rriste edhe prodhimtarinë vendore, duke ulur kështu në masë të madhe edhe importin e prodhimeve të huaja. “Në Kosovë mungon edhe prodhimi, dhe pothuajse 80 për qind e të mirave materiale që janë të nevojshme për konsumatorin importohen nga jashtë. E duke parë nevojat për prodhimin vendor, kosovarët duhet ta shohin më të arsyeshme zhvillimin e agrobizneseve”, thotë Limani.

Kurse, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), nuk kanë statistika se sa është numri i agrobizneseve që funksionojnë në vend. Në këtë ministri, tregojnë se aktualisht janë të regjistruara 78 kooperative bujqësore. “Nga 1 janari i vitit 2000 deri më 31 korrik të këtij viti në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit janë regjistruar 78 Kooperativa Bujqësor, ndërsa vetëm në 7 mujorin e parë të këtij viti janë regjistruar vetëm 2 Kooperativa Bujqësore. Veprimtaria dominuese, sipas regjistrimit të bizneseve, është blegtoria”, thotë për portalin Ferma Ime” zëdhënësja e MTI-së, Arta Istrefi.

E në Ministrinë e Bujqësisë, tregojnë se deri më tash janë përkrahur 65 mijë fermerë, në mesin e të cilëve ka pasur edhe agrobiznese. /Telegrafi/

Artikulli paraprakAustralia shfuqizonë ligjin shekullor i cili ndalonte dhe dënonte fallin dhe magjinë
Artikulli vijuesNxënësit iranianë do të trajnohen për të neutralizuar avionët pa pilot