Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim pas sulmit të mbrëmshëm terrorist në qendër të kryeqytetit të Turqisë, në Ankara ku si pasojë humbën jetën 34 persona dhe 125 të tjerë u plagosën, dërgon telegram ngushëllimi në të cilin shprehë ngushëllimet për popullin turk dhe familjarët e viktimave.
Telegramin e plotë ngushëllues të Ali Ahmetit mund ta lexoni më poshtë:
I nderuari Kryetar Erdogan, Kryeministër Davutogllu
më lejoni që në emër të të gjithë pranë Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në emrin tim personal t’ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta juve, popullit turk dhe familjarëve të viktimave që humbën jetën si pasojë e sulmit terrorist në Ankara, ndërsa të plagosurve t’ju uroj shërim sa më të shpejt dhe kthim pranë familjeve të tyre.
Jemi pranë jush dhe pranë botës demokratike në përpjekjet e vështira për ta mposhtur terrorizimin dhe shprehim solidaritetin tonë me popullin turk duke ndarë dhimbjen me ju në këto momente të vështira për vendin tuaj.
Turqia dhe bota po ballafaqohet me këtë sfidë serioze të sigurisë botërore dhe këtë të keqe mund ta mposhtim vetëm të bashkuar në mbrojtje të njerëzimit dhe mënyrës sonë të jetesës.
Banorët e Ankarasë janë në lutjet tona dhe unë shpreh bindjen që ata si dhe mbarë populli turk do të dalin edhe më të fortë dhe më të përkushtuar për ta kundërshtuar të keqën e përbashkët me përkrahjen edhe të gjithë botës demokratike.