AK: PETICION PËR REFERENDUMIN E BASHKIMIT

Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu gjatë një konferencë për shtyp që sot ka mbajtur në Prishtinë ka prezantuar nismën më të fundit të kuqezinjve “Peticionin për mbajtjen e referendumit për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën”, i cila do të fillojë së nënshkruari që nga dita e 100 vjetorit të shpallje së pavarësisë së Shqipërisë.

Kreu i AK-së i ka bërë apel mbarë kombit shqiptar që të bëhen pjesë e nismës së Aleancës Kuq e Zi dhe të firmosin peticionin që do të pasohet nga kërkesa për referendumin për bashkimin e dy shteteve shqiptare. “Peticioni do të nisë të nënshkruhet me 28 Nëntor në kufirin Shqipëri-Shqipëri, aty ku para 100 vitesh shqiptarët u ndanë, aty do të nisë bashkimi për realizimin e aspiratës shekullore të kombit shqiptar për bashkim”, ka deklaruar Spahiu. Duke shpjeguar detaje të tjera mbi nismën e Aleancës Kuq e Zi, Spahiu ka bërë të ditur se peticioni që do të firmoset nga miliona shqiptarë do t’i dorëzohet dy parlamenteve në Tiranë dhe Prishtinë, të cilët do të duhet të votojnë për referendumin popullor për bashkim. “Populli do të votojë bashkimin e dy Shqipërive. Peticioni do të shkele në të gjitha qytetet, fshatrat, komunat dhe lagjet e shqiptarëve. Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje ndërkombëtarëve që të monitorojnë procedurat, hapat dhe gjithçka lidhet me nismën e Aleancës kuq e Zi”, ka deklaruar Spahiu.

Aleanca Kuq e Zi do të tubohet më 28 Nëntor në kufirin e Morinës dhe ka zgjedhur pikërisht këtë pikë ku shqiptarët u ndanë 100 vjet më parë për të nisur një kapitull të ri, atë të bashkimit. “Aleanca Kuq e Zi do të zhvillojë një tubim gjigand në Morinë më 28 Nëntor në kufirin Shqipëri-Shqipëri, në Morinë, dhe prej aty do të nisë rrugëtimin peticioni për referendumin që Aleanca Kuq e Zi prezanton sot. AK kërkon heqjen e pikave kufitare dhe doganore dhe kjo ka qene, është dhe do të mbetet shtylla kryesore e programit të kuqezinjve. Prandaj 28 Nëntori në Morinë do të mbledh shqiptarë nga të gjitha trevat dhe trojet etnike për t’i treguar faktorin politik të dy shteteve shqiptare se aspirata shekullore e shqiptarëve për bashkim kombëtare duhet të nisë”, ka deklaruar, ndër të tjera, kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu nga Prishtina.kohaislame

Artikulli paraprakKËSHILLI I SIGURIMIT DISKUTON GJENDJEN NË KOSOVË
Artikulli vijuesDrenasi i “maskarallëqeve”