AKP-ja, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, që e udhëheq Turqinë prej më shumë se një dekade, do të mbajë një kongres të jashtëzakonshëm në javët e ardhshme.
Presidenti i vendit, Rexhep Tajjip Erdogan, dhe kryeministri, Ahmet Davutogllu, janë takuar dje kokë më kokë, në një takim që ka zgjatur një orë e 40 minuta.
Zyrtarë të lartë të AKP-së deklaruan se dy krerët e shtetit kanë rënë dakort për një kongres të jashtëzakonshëm të partisë në pushtet, ku Davutogllu nuk pritet të kandidojë më për kryetar.
Kryeministri do të japë sot një konferencë shtypi në orët e mesditës. Dalja e Davutogllusë para gazetarëve do të bëhet pas një takimi të forumeve të larta të AKP-së, ku do të vendoset zyrtarisht për kongresin.
Davutogllu do të lajmërojë dhe datën e mbajtjes së kongresit, që mendohet të jetë mes 21 majit dhe 6 qershorit, para se të nisë muaji i Ramazanit.
Ahmet Davutogllu e mori drejtimin e AKP-së dhe u zgjodh kryeministër në ditët e fundit të gushtit të vitit 2014, menjëherë pas zgjedhjes së Erdoganit si president i vendit.
Një akademik, politikan e diplomat i spikatur, Davutogllu ka mbajtur për pesë vite, para se të zgjidhej kryeministër, postin e ministrit të Jashtëm. Më herët ai ka qenë kryekëshilltar i Erdoganit.
Mbajtja e kongresit të jashtëzakonshëm të AKP-së, ku do të zgjidhet dhe kryetari i ri i saj, është një zhvillim i papritur në politikën turke. /tesheshi.com/