AKP-ja diskuton për Trepçën e Pallatin e Rinisë

0
285

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) të premten ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Sa i përket Trepçës, Bordi diskutoi lidhur me ecurinë e draftimit të raportit nga kontraktori për studim të fizibilitetit të Trepçës, i cili pritet të finalizohet gjatë muajit prill 2017, dhe i cili do të sqarojë një sërë çështjesh dhe do t’i hapë rrugë tranzicionit të kësaj ndërmarrjeje me interes vital dhe strategjik për Kosovën, sipas ligjit në fuqi, përcjell ksp.

Bordi, po ashtu, miratoi transaksionet nga shitja e aseteve në likuidim nr. 29, për të cilat Agjencia do t’i njoftojë zyrtarisht të gjithë ofertuesit me çmimet më të larta të ofruara me vendimet e Bordit për secilin aset të tenderuar.

“Kjo valë e shitjeve u zhvillua me sukses muajin e shkuar dhe përfshinte në tenderim asete të ndërmarrjeve shoqërore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës sipas planit të punës, që si qëllim ka dinamizmin e procesit të shitjes dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Bordi i Drejtorëve u informua nga menaxhmenti me zhvillimet e fundit në ndërmarrjen shoqërore “Pallati i Rinisë dhe Sporteve”, nën administrimin e AKP-së dhe diskutoi për aktivitetet që po ndërmerren me qëllim të rritjes së efikasitetit në operimet e kësaj ndërmarrjeje.

Ndër të tjera, Bordi diskutoi disa qiradhënie të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, si dhe shqyrtoi dhe diskutoi çështje të tjera që lidhen me veprimtarinë e përditshme të agjencisë, njofton Zyra e informacionit pranë AKP-së.