“Ushtria” e Thaçit, a do e “shpartallojë” koalicionin qeverisës PDK-LDK?

Dërgimi në Kuvend i projektligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri nga presidenti Thaçi ka rritur krizën në mes partnerëve të koalicionit PDK e LDK.

Ndërsa për muaj të tërë mosratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi është parë si pika kyçe që mund të ndajë rrugët e koalicionit qeverisës, tashmë shihet se “fajtor” për një gjë të tillë do jetë ushtria, kjo pasi drejtuesit e dy partive kanë shprehur qëndrime të kundërta nëse ushtria duhet të themelohet me apo pa përkrahje të ndërkombëtare.

Një çështje tjetër që ka rritur tensionet mes partive në pushtet është informimi me vonesë i kryeministrit Mustafa me iniciativën që ushtria të bëhet përmes ndryshimit të ligjit, për çka Thaçi e Veseli raportohet se janë koordinuar më herët mes vete.

I frustruar për iniciativën e Thaçit për ushtrinë është shprehur edhe vetë Mustafa, i cili përmes një statusi në Facebook ka deklaruar se “ushtria nuk është dhe as që do të jetë partiake”.

Në partinë e Mustafës haptaz thonë se ushtria duhet të themelohet me mbështetje ndërkombëtare, kurse PDK është e vendosur që ushtria të themelohet edhe nëse nuk jepet “OK” i SHBA-së dhe NATO-s.

Por, a mundet vërtetë ushtria të prish përfundimisht “martesën e zorit”, PDK-LDK?

Analistët në vend përçarjet e fundit dhe dallimet e subjekteve në fjalë për ushtrinë i shohin si sinjale të zgjedhjeve të parakohshme, të cilat sipas tyre janë të pashmangshme.

Analisti politik Shefqet Dibrani, nuk e mohon mundësinë që “ushtria” ta dërgojë vendin në zgedhje të parakohshme, por sipas tij këtë mund ta bëj vetëm PDK.

Ai thotë me iniciativën e ndërmarrë Thaçi po e sfidon jo vetëm Isa Mustafën të cilin e ka marionetë të veten, por edhe tërë opozitën.

“PDK-ja mund ta qoj vendin kur të dojë në zgjedhje dhe nëse kjo do të ndodhte ne bashkërisht do ta shohim fundin tragjik të LDK-së, përgjegjësinë e këtij shkatërrimi duhet ta bartin pikërisht udhëheqësit e saj. Nuk e besoj se dikush nga partneret ndërkombëtar e kanë zgjedhur partner strategjik Mustafën dhe LDK-në. Kjo nuk ndodhë sepse ata e njohin mirë Isën, dhe i njohin mirë edhe aftësitë dhe mundësitë e LDK-së. Kur të dojë Kadri Veseli e dërgon vendin në zgjedhje sepse Isa nuk guxon se është i shantazhuar”, thotë Dibrani për tesheshi. com.

Albinot Maloku, poashtu analist politik, thotë se themelimi i ushtrisë është domosdoshmëri dhe si e tillë, mjaftë gjatë është diskutuar për modalitetet të cilat e mundësojnë formimin e saj, duke respektuar rendin juridik të vendit.

Maloku, thotë se ushtria nuk është vetëm këmbëngulësi e presidenti Thaçi, por e të gjithë qytetarëve të vendit, edhe pse e pranon se Thaçi e nisi projektligjin në formën ndaj të cilës u reagua me nxitim nga qarqet ndërkombëtare.

“Gjithsesi, Lidhja Demokratike e Kosovës ende është duke vazhduar avazin e vjetër të matjes së qejfit ndaj ndërkombëtarëve vend e pa vend. Tek e fundit, edhe kjo Republikë e Kosovës është shtet e i pranuar edhe nga reaguesit e projektligjit për ushtrinë në formatin aktual dhe LDK-ja duhet njëherë e mirë të tregojë që ka qëndrim”, thotë Maloku.

Njohësi i rrethanave politike, Faik Krasniqi, thotë se këmbëngulësia e Thaçit që FSK-ja të transformohet në Forca të Armatosura me ndonjë ligj është çështje që mund të kontestohet nga Gjykata Kushtetuese, por edhe nga gjithë partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë.

Sa i përket mundësisë së prishjes së koalicionit qeverisës, Krasniqi thotë se një gjë e tillë mund të ndodh për shumë arsye, jo vetëm me mosvotimin e ushtrisë nga ana e LDK-së, por sipas tij kjo do të ndodh atëherë kur PDK-së levërdisë.

“Edhe kjo mund të jetë një lojë e Thaçit dhe PDK-së për prishjen e koalicionit. Por, PDK-ja do ta gjej momentin e duhur për prishjen e koalicionit me LDK-në duke gjetur ndonjë shkak, e shkaqe për divorcin me LDK-në ka me qindra”, thotë Krasniqi për tesheshi.

Artikulli paraprakAKP-ja diskuton për Trepçën e Pallatin e Rinisë
Artikulli vijuesThaçi: Jap dorëheqje nëse Kuvendi nuk e voton Ushtrinë