Aksident trafiku: Një i vdekur dhe shtatë të lënduar

Një person ka vdekur dhe shtatë të tjerë janë lënduar në aksidentin e rëndë të komunikacionit që ka ndodhur në periferi të Malishevës, në rrugën që çon për në Rahovec. Komandanti i Stacionit Policor në Malishevë, Bekim Begaj, ka njoftuar se të shtunën rreth orës 18:30, policia e ka marrë lajmin për aksidentin tragjik ku kanë qenë të përfshirë një veturë e tipit “Golf” me targa 04-772-BJ dhe një kamionetë me targa 01-645-CE.

Sipas njoftimeve në aksident ka vdekur shoferi i veturës “Golf”, Selman Bytyçi (1954), nga fshati Shkozë e Malishevës, i cili ka qenë i vetëm teksa po udhëtonte drejt Malishevës. Ndërkaq, të lënduarit janë të shtatë personat të cilët kanë qenë në kamionetë dhe që po udhëtonin në drejtim të Rahovecit, shkruan Koha.net. Të lënduarit të cilët gjendeshin në kamionetë janë: Brahim Desku (1962) nga Klina, Ajet Selmani (1988) nga Broja e Skenderajt, Basri Thaçi (1983) nga Broja, Kolë Berisha (1962) nga Dobërdoli i Klinës, Driton Shaqiri nga Broja, Murat Thaçi (1976) nga Broja dhe Faik Thaçi (1971) nga Broja. Sipas të dhënave Brahim Desku, Kolë Berisha dhe Driton Shaqiri kanë pësuar lëndime të rënda dhe gjenden për trajtim në QKUK në Prishtinë. Merret vesh se të lënduarit janë punëtorë të kompanisë “Geo Mineral”, e cila operon në periferi të fshatit Astrazup të Malishevës dhe që ka për bashkëpronarë familjarë të kryeministrit Thaçi.
Sipas njoftimeve, trupi i pajetë i Selman Bytyçit nga Shkoza, me vendim të prokurorit, i është kthyer menjëherë familjes për varrim. Ind/kohaislame

Artikulli paraprakIrinej: Mos heqni dorë prej Kosovës
Artikulli vijuesSelia e re e “Apple”