Albin Kurti: Kësaj Qeverie po i vjen fundi

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa ka dy rrugë: dorëheqjen ose rrëzimin.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Kurti ka thënë se kjo Qeveri kuislinge e ka më mirë të dorëhiqet sesa të rrëzohet. Ai ka treguar arsyet pse Qeveria Mustafa duhet të bjerë. “Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se asnjëri prej shtatë kapitujve të Marrëveshjes Mustafa – Vuçiq të 25 gushtit 2015 nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe se janë shkelur gjithsej 23 nene të Kushtetutës.

Prandaj, aktgjykimi i këtillë shënon vdekjen e ‘Zajednicës’. ‘Zajednica’ ka vdekur, mirëpo kjo Qeveri po aspiron ta ringjallë ‘Zajendicën’ kundërkushtetuese porsi një zombi. Kjo është arsyeja pse kjo Qeveri duhet të bjerë. Ajo nuk e pranon gabimin dhe ajo nuk ndjen as pendesë e as keqardhje.

Arsyeja tjetër pse kjo Qeveri duhet të shkojë është insistimi i saj në Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Nuk e shkarkoi komisionin përkatës dhe tash premton komisione të reja, ndërkohë që i gëzohet cilido deklarim ndërkombëtar që përkrah humbjen e 9 000 hektarëve të Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se kësaj Qeverie po i vjen fundi, duke përjashtuar mundësinë e një Qeverie kalimtare. “S’ka rrugë tjetër. 9 janari është protesta e parë që do të vazhdojë për aq sa do të jetë e nevojshme.

Pra, deri në largimin e kësaj Qeverie represive e shfrytëzuese përbrenda shtetit dhe koncesioniste e kapitulluese ndaj shteteve të tjera jashtë. Durimit të qytetarëve po i vjen fundi. Pra, kësaj Qeverie po i vjen fundi.

Ne nuk kemi nevojë edhe për një Qeveri tjetër kalimtare sepse Qeveria Thaçi – Mustafa është Qeveri kalimtare. Pas largimit të kësaj Qeverie, e cila është kuislinge politikisht dhe compradore ekonomikisht, duhet të shkojmë menjëherë në zgjedhje të reja parlamentare. Nuk mund të ketë Republikë përderisa interesat private ndodhen mbi të mirën publike.

Pra, nuk mund të ketë Republikë të Kosovës përderisa kjo Qeveri është mbi Kosovën”, është shprehur Kurti.

Artikulli paraprakHSBC i pret lidhjet me organizatat bamirëse Islame
Artikulli vijuesZidane trajner i Real Madridit