Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte dijeni rreth sulmi terrorist që ndodhi dje në Ankara të Turqisë ku u vranë 34 persona dhe u plagosën më shumë se 120 vetë.
Kështu ka deklaruar selia diplomatike e SHBA në Ankara, e cila thotë se kishte marrë paralajmërime nga Qeveria turke dhe kishte njoftuar qytetarët amerikanë në Turqi që të evitojnë lëvizjet.
“Javën e kaluar, Ambasada Amerikane mori një informacion të kërcënimit me anë të një paralajmërimi të qeverisë turke që qarkullonte në mediat sociale.
Pas konfirmimit të paralajmërimit me autoritetet turke, Ambasada ka lëshuar një njoftim për të gjithë qytetarët amerikanë në Ankara, punonjësit qeveritarë dhe qytetarët privatë, dhe për punonjësit turk të Ambasadës Amerikane, sikurse bëjmë zakonisht pasi mësojmë informacione nga qeveria turke në lidhje me kërcënimet”, thotë Ambasada amerikane në një deklaratë.
Të premten, ambasada e SHBA u tha qytetarëve amerikanë të shmangin zonën Bahçelievler të Ankarasë, rreth 5 kilometra nga sheshi Kizilay në Ankara.