Ambasadorja amerikane Jacobson: Të vazhdohet me ulëset e rezervuara për minoritet edhe një mandat

Ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson në një prononcim për RadioDukagjinin ka deklaruar se mbështet vazhdimin e ulëseve të rezervuara edhe për mandatin e ardhshëm, mirëpo sipas saj për këtë duhet të vendosin autoritetet e Kosovës.

“Ulëset e rezervuara janë një çështje e ndjeshme. Mendimi im është se do të kishte kuptim që të vazhdohet me ulëset e rezervuara për mandatin e ardhshëm, por unë nuk kam votë në Kuvendin e Kosovës kështu që kjo u takon autoriteteve të Kosovës që të vendosin”, ka thënë Jacobson.

Ajo ka deklaruar se 2 deri në 3 ulëse do të mund t’i rezervoheshin përfaqësuesve të veriut gjatë mandatit të ardhshëm.

“Ndjenja ime është se duhet përkrahur procesin e tashëm të integrimit në veri. Po shohim disa përparime me polici, dogana dhe mund të ketë kuptim që të jenë 2-3 ulëse të rezervuara për mandatin tjetër. Por ky nuk është vendimi im, duhet ta bëj të qartë se ne kemi takuar liderët, por roli i ambasadorëve nuk është të vendosim, por të inkurajojnë dialogun dhe jo të vendosim”, është shprehur ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.

Ndryshe, 25 deputetë të pakicave kanë parashtruar kërkesë për ndryshime kushtetuese, me qëllim rikthimin e një neni për kthimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic, pas takimit të fundit të liderëve për reformë zgjedhore, ka pohuar se nëse ulëset e rezervuara nuk zgjaten të paktën edhe për një mandat ka gjasë që veriu të mbetët një konflikt i ngrirë./ilirida/kohaislame

Artikulli paraprakDëshmitari E1 për rastin “Monstra” në Gjykatën e Shkupit
Artikulli vijuesKoha kur brohorisnim për Vëllazërim-Bashkimin dhe ruajtjen e Jugosllavisë