Dëshmitari E1 për rastin “Monstra” në Gjykatën e Shkupit

Në Gjykatën Themelore Shkupi 1 sot po dëshmon i ashtuquajturi dëshmitari E1 lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.

Dëshmitari E1 jep dëshminë e tij përmes një ekrani të turbulluar dhe me zë të ndryshuar, para këshillit gjyqësor, të akuzuarëve dhe avokatëve.

Ai është dëshmitari i vetëm lidhur me vrasjen e pesë maqedonasve në liqenin pranë fshatit Smilkovc në prillin e këtij viti.

Një dëshmitar i mbrojtur ishte shpallur Haki Haziri, i cili u tërhoq nga ky status pas disa javëve, kur u alarmua zhdukja e tij dhe prania në duart e policisë. Pranë trupit gjykues në fillim të seancave gjyqësore ishte prezantuar një video materiale ku po merrej në pyetje Haziri, i cili kishte folur për vrasjen e pesëfishtë, por ai më pas pranë trupit gjykues ka ndryshuar deklaratën, pasi që në fillim ka pranuar se kishte folur nën kërcënime dhe presione të mëdha.

Por dëshmia e dëshmitarit të sotëm të koduar E1 është informatë e klasifikuar dhe nuk guxon të publikohet në opinion, për shkak se dëmtohet procesi hetimor dhe kjo përbën shkelje ligjore.

Prokuroria maqedonase në aktakuzën e ngritur akuzon shtatë veta për kryerjen e vrasjes, me ç’rast dy të akuzuarit kryesor Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq gjenden në burgun e Prishtinës, pas kapjes së tyre disa muaj më parë, për shkak të posedimit të armëve të paligjshme dhe pas një fletëarresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë. Por pala mbrojtëse e shtatë të akuzuarve ka hedhur poshtë akuzën, duke e quajtur si të pabazë dhe një proces i montuar me mungesë të fakteve dhe dëshmive.

Shtatë të akuzuarit ngarkohen si autorë të vrasjes së pesëfishtë të katër të rinjve maqedonas nga Radishani i Shkupit dhe një peshkatari maqedonas më 12 prill 2012 në liqenin e Smilkovcit. (INA)/kohaislame

Artikulli paraprakKioska që shet drogë në qendër të Prishtinës
Artikulli vijuesAmbasadorja amerikane Jacobson: Të vazhdohet me ulëset e rezervuara për minoritet edhe një mandat