Amerika shpall Venezuelën rrezik kombëtar

Shtëpia e Bardhë ka shpallur shtetin e Venezuelës si rrezik kombëtar dhe urdhëroi vendosjen e sanksioneve politike dhe ekonomike ndaj 7 zyrtarëve të lartë të shtetit amerikano-jugor.
 
Kjo ka ardhur përmes një dekreti të lëshuar nga presidenti Barak Obama.
 
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Xhen Psaki, tha se shpallja e një vendi rrezik kombëtar është hapi i parë i një vale sanksionesh që do të ndërmerren në të ardhmen, njëlloj sikur ka ndodhur me Sirinë, apo vende të tjera në të kaluarën.
 
“Po vëmë në zbatim atë për të cilën kemi muaj që punojmë, ndëshkimin e atyre që shkelin të drejtat e njeriut, abuzuesit dhe ata që po dhunojnë shoqërinë civile. Akuzat e presidentit Maduro janë vetëm një shpërqendrim ndaj problemeve që ai ka në vendin e tij”, tha Psaki.
 
Ndërsa Shtëpia e Bardhë bëri të qartë se urdhri ekzekutiv i Obamës erdhi për shkak të minimit të demokracisë që ishte parë në Venezuelë, si dhe kufizimin e lirisë së shprehjes dhe rritjen drastike të korrupsionit në administratën publike.
 
Të shtatë zyrtarëve të përmendur në vendimin e presidentit, të cilët mbajnë pozicione të rëndësishme në agjencitë e sigurisë dhe shërbimin informative të vendit, u janë bllokuar asetet dhe pronat që kanë në Shtetet e Bashkuara si dhe iu është hequr e drejta për të vizituar vendin.
 
Kjo solli edhe reagimin e menjëhershëm të Karakasit, e cila deklaroi se do të përgjigjej shumë shpejt ndaj këtij veprimi, duke i çuar marrëdhëniet mes dy shteteve në pikën më të ulët që prej marrjes së pushtetit nga presidenti socialist, Nikolas Maduro në vitin 2013.
 
Vetëm një javë më parë, presidenti Nikolas Maduro, pas akuzave drejt SHBA-së se dëshiron ta rrëzojë nga pushteti, dhe arrestimet të disa shtetasve amerikanë të akuzuar për spiunazh, vendosi regjimin e vizave për shtetasit amerikanë dhe urdhëroi Uashingtonin të zvogëlojë personelin në ambasadën e tij në Karakas.
 
Përplasja diplomatike shumë shpejt mund të kthehet në një përplasje ekonomike, pasi të dyja vendet kanë kërcënuar se do t’i vendosin sanksione të rënda njëri-tjetrit.kohaislame
Artikulli paraprakIsh-komandantit të Brigadës 141 të Shalës nuk i njihet statusi i veteranit
Artikulli vijuesRusia kërkon shpjegime për ushtrinë e BE-së