Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, e kanë caktuar 18 prillin si datë për të protestuar kundër Qeverisë.
Protesta e thirrur nga opozita ka një listë më kërkesa, të cilat i adresohen ekzekutivit.
Njohësit e çështjeve politike i vlerësojnë si të drejta kërkesat e protestuesve. Madje sipas tyre, ka edhe shumë kërkesa tjera për të cilat mund të protestohet.
Analisti Halil Matoshi, ka thënë për Tribuna Channel se është e drejtë e qytetarëve për të protestuar në mënyre paqësore, madje sipas tij, kjo edhe e ndihmon pushtetin që të korrigjohet.
“Në këtë rast, thirrja e protestave nga opozita parlamentare për çmimin e energjisë elektrike, për mossundimin e ligjit, për ndërhyrjet politike në RTK dhe kapjen e shtetit nga PDK dhe segmenetet e saj është domosdo për vetëdijesimin e qytetarëve kosovarë për të ushtruar kontroll mbi pushtetin politik. Mirëpo, protesta kundër Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, meqë është postulat që buron nga Pakoja Ahtisaari dhe rrjedhimisht postulat kushtetues, mendoj se nuk është një pozicionim i drejt qytetar karshi shtetndërtimit”, ka thënë Matoshi.
Duke i vlerësuar kërkesat e opozitës për të protestuar, Matoshi ka thënë se të gjitha kërkesat janë reale, me përjashtim të kërkesës për Asociacionin e Komunave serbe. Sipas tij, PDK tash e një kohë të gjatë i ka zaptuar hapësirat publike dhe institucionale dhe e ka shtrirë ndikimin e vet në të gjitha aspektet e jetës shoqërore në vend dhe në këtë forme Matoshi vlerëson se është shkaktuar padrejtësi shoqërore dhe irritim të publikut kosovar.
“Opozita e ka mbështetjen e një mase të madhe popullore, që ta influencojë pushtetin për t’u shkëputur shpejt dhe përfundimisht nga mendësia kleptokratike e qeverisjes dhe për t’i dhënë shans zhvillimit të demokracisë, pastaj për të dhënë sinjale të qarta se do ta luftojë konkretisht korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe do të përkushtohet në ngritjen e mirëqenies qytetare”, ka shtuar Matoshi.
Në këtë linjë është edhe njohësi tjetër i çështjeve politike, Shpend Kursani. Ai vlerëson se secila pike e kërkesës se protestuesve është e drejtë, por Kursani thekson se këto pika janë vendosur në mënyre arbitrare në mënyre që qytetarët t’i bashkohen në një masë më të madhe.
“Këto janë pika që i prekin qytetarët si në gjep po ashtu edhe në ndjenjën e tyre kombëtare. Edhe data e protestës duket të jetë arbitrare. Unë mendoj se në Kosovë duhet me protesta ditë për ditë. Se sa do të jetë protesta e suksesshme do të shihet në numrin e njerëzve qe mund t’i mbledhin dhe në mbajtjen e konsistencës së protestës dhe jo t’i ndërpresin siç është ndërpre protesta më herët, nëse vazhdojnë në atë forme humbet edhe besimi qytetar për të marrë pjesë në këto protesta”, ka thënë Kursani.
Kursani nuk e përjashton mundësinë e eskalimit të protestave, por, kjo sipas tij, varët nga numri i pjesëmarrësve dhe sjelljes së policisë ndaj protestuesve.
“Sukseset dhe dështimet do të bien mbi këto tri parti, pastaj edhe vet pjesëmarrësit në këto protesta. Unë pres qe numri të jetë më i madh se sa kur protesta është organizuar nga vetëm një parti politike, sepse po bëhen thirrje nga krerët e tri partive politike”, ka shtuar Kursani.
Në protestën e paralajmëruare me 18 prill, partitë opozitarë kanë përcaktuar katër pika kryesore, të cilat janë: ” Kundër çmimit të lartë të rrymës, kundër kontrollit të pushtetit në RTK, kundër uzurpimit të sistemit të drejtësisë dhe kundër Asociacionit të Komunave më shumicë Serbe.kohaislame