Analistët për incidentin në Goshincë: Përpjekje për të defokusuar qytetarët nga kriza politike

Sulmin ndaj stacionit policor në Goshincë të Komunës së Likovës analistët nga Maqedonia për Anadolu Agency e vlerësojnë si përpjekje të Qeverisë për të tërhequr vëmendjen nga kriza aktuale politike dhe nga shpalosja e bisedave të përgjuara telefonike nga opozita maqedonase.

Ndërsa popullsia e Maqedonisë, grupin e armatosur për të cilin Ministria e Punëve të Brendshme pretendon se kanë ardhur nga Kosova e quan një urdhër të qartë nga ana Qeverisë, me qëllim që të krijojë provokime me një aksion të ulët si sulmi në fjalë.

 
Sipas analizave të gazetarit Branko Geroski, bëhet fjalë për një përpjekje nga ana e Qeverisë për të kontrolluar jostabilitetin në Maqedoni dhe kjo sipas tij është e njëjta situatë si në konfliktin e vitit 2001. “Për arsye të problemeve të brendshme politike në vitin 2001 kishte përpjekje për të bërë skenarë të tilla për të kontrolluar jostabilitetin. Krijojnë incidente të vogla, me qëllim që në fund të përfundojnë të suksesshme dhe të tërheqin vëmendjen nga problemet  e tjera serioze politike”, thotë ai.
 
– Branko Geroski: Aksioni policor në Goshincë ishte i pahijshëm për një shtet të pavarur-
 
Sipas Geroskit, incidenti i fundit në fshatin Goshincë në kufirin Maqedoni-Kosovë është për të larguar dhe defokusuar vëmendjen e qytetarëve nga kriza politike që është duke u zhvilluar në vend, nga shpalosja e bisedave të përgjuara telefonike nga ana e opozitës maqedonase. “Problemi i partive maqedonase dhe shqiptare në pushtet është se në këto momente nuk kanë kontroll të vërtetë në terren dhe ky koalicion ka humbur besueshmërinë që kishin për një kohë të gjatë. Ata nuk kanë kontroll në njerëzit në terren dhe ky është problemi i skenarit në Goshincë”, shprehet Geroski.
 
Ai duke theksuar se në Maqedoni nuk qeverisë Qeveria, Parlamenti dhe institucionet legjitime, shtoi se këtë shtet e qeverisë një klikë e vogël njerëzish të cilët shfrytëzojnë dhe keqpërdorin institucionet shtetërore, ndërsa në vazhdim u shpreh se: “Aksioni policor në Goshincë ishte qesharak, komik dhe i pahijshëm për një shtet normal dhe të pavarur”.
 
Geroski theksoi se historia e konfliktit të vitit 2001 na mëson se edhe sot mund të përsëritet, por këtë herë nëse ndodh e njëjta situatë, atëherë ky konflikt do të jetë shumë më i rrezikshëm, dhe porosit që maqedonasit dhe shqiptarët  të mos lejojnë të përsëritet ajo krizë, e cila ka për qëllim mbijetesën e partive politike. “Kjo nuk ka logjikë. Për herë të dytë ky popull nëse bën të njëjtën marrëzi si në vitin 2001, atëherë me të vërtetë nuk meritojmë të kemi shtet”, shprehet Geroski.
 
Sipas mendimit të Geroskit, pavarësisht konfliktit të vitit 2001 marrëdhëniet etnike ndërmjet maqedonasve dhe shqiptare janë të shkëlqyera. “Këta dy popuj historikisht nuk kanë pasur luftë të përgjakshme ndërmjet tyre. Kemi këto elita politike të çmendura të cilët shkaktojnë probleme dhe provokime të ndryshme, mirëpo sot një energji dominuese për luftë nuk ekziston tek ne”, deklaroi gazetari Branko Geroski.
 
– Kim Mehmeti: Në vitin 2001 Maqedonia kishte institucione shtetërore të cilat maqedonasit u besonin, ndërsa sot nuk beson askush-
 
Nga ana tjetër, sipas analistit Kim Mehmeti, ngjarjet në stacionin policor në Goshincë në një farë mënyre dëshmojnë së është projekt i dështuar i ndërkombëtarëve, sepse siç pretendon ai, ajo nuk ka kapacitetin e brendshëm të mirëmbajë shtetëformësimin. “Çdo dhjetë vite ndodhin kriza të këtilla të cilat e tronditin shtetin dhe të cilat ajo i mbulon me atë se armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm e dëmtojnë, si dhe mbulon fytyrën e vërtetë, mbulon atë mundësinë që të ndërtojë institucione të mirëfillta shtetërore me rreziqe nga shqiptarët nga Kosova”. 
 
Mehmeti thotë se asnjëherë nuk i ndodhi Maqedonisë të ankohet nga rreziqet e vërteta, nga ata që nuk e pranojnë as si popull, as si shtet dhe as si komb, por gjithmonë përqendrohet në atë “rrezikun shqiptar”. Ai duke parashtruar pyetjen se si është e mundur i gjithë ai rrezik shqiptar për gjithë këto 20 vite mos ta mposht këtë shtet kaq të vogël, shtoi se: “Kjo nuk është Kinë e të mos mundesh ta mposhtësh. Për 20 vjet Maqedoninë mund ta mposhtë edhe një fshat prej 2 mijë banorësh”.
 
Sipas mendimit të Mehmetit, Maqedonia në aspektin e shtet formimit sot ndodhet aty ku ishte në vitin 2001, sepse në vitin 2001 Maqedonia kishte institucione shtetërore të cilat maqedonasit u besonin, ndërsa sot në këto institucione shtetërore nuk beson askush, pasi që siç tha ai, institucionet shtetërore janë të gjithë në pronë e një familje të Qeverisë.
 
“Maqedonia duhet thënë hapur se është në duar të kriminelëve dhe normalisht një shtet që është në duar të kriminelëve ai është i rrezikuar. Aty është e rrezikshme të jetosh sepse aty nuk e dinë se çka ndodh”, tha Mehmeti, i cili shtoi se konflikti i vitit 2001 nuk ka gjasa të përsëritet sepse sezoni i luftës ka mbaruar, mirëpo në vazhdim shprehet se edhe nëse ndodh një gjë e tillë shqiptarët nuk do e lënë në gjysmë sikur në vitin 2001 dhe e njëjta nga pala maqedonase. 
 
Mehmeti shtoi se ky regjim është i gatshëm që të bëjë të keqen më të madhe për të shpëtuar vetveten dhe të njëjtit janë të rrezikshëm edhe për shtetin, edhe për qytetarët, sepse siç pretendon ai, krimet që ka bërë ky regjim vetëm gjaku i mbulon. “Lufta dhe gjaku mund të na çojë deri atje që të harrojmë që këta na kanë vjedhur, na kanë plaçkit dhe na kanë burgos. Lufta është ajo që i mbulon të gjitha të këqijat”, thotë Mehmeti, duke shtuar se këto mund t’i shpëtojë vetëm një konflikt ndëretnik.
 
Mehmeti duke theksuar se shqiptarët nuk janë të kyçur në aferën e përgjimeve që posedon opozita maqedonase, shtoi se: “Shqiptarët nuk kanë çka të presin. Shqiptarëve u ndodhi rasti Monstra, Brodeci, eliminimi i Harun Aliut, por nuk veshën uniforma, e pse do veshin uniforma tani kur zbardhen këto afera dhe kur shihet se ky regjim është monstruoz dhe ka dëmtuar institucionet shtetërore monstruoze”, shprehet Mehmeti.
 
– Peter Arsovski: Incidenti i fundit është një instrument politik-
 
Analisti politik, Peter Arsovski, thotë se në Maqedoni janë duke u avancuar dy lloje të krizës, njëra është kriza politike e brendshme e cila krijon tension edhe në shoqëri, përfshirë partitë politike, qytetarët dhe grupet etnike, ndërsa kriza tjetër është e lidhur me faktin që Maqedonia për një kohë të gjatë është në rrugën e integrimit euro-atlantik. “E gjithë kjo krijon një zbrazëti të sigurisë në vend, ku nuk dimë se si të veprojmë”, thotë Arsovski.
 
Sipas tij kjo zbrazëti është normale të krijojë këto lloje tensionesh në vend dhe rreth saj, dhe siç pretendon ai, incidenti i fundit është produkt i dy fakteve më lartë dhe ky nuk është as incidenti i parë, por nuk do të jetë as i fundit.
 
Arsovski duke theksuar se katër vitet e fundit ka pasur shumë incidente ndërmjet qytetarëve, si rasti në lagjen Gjorçe Petrov, rrahjet e nxënësve nëpër autobusë, Monsta dhe kështu me radhë, shtoi se: “Me këtë incidente tani për tani nuk ekzistojnë kapacitete të mjaftueshme për të krijuar një krizë ndëretnike apo krizë të sigurisë, sepse për të krijuar një krizë serioze patjetër do të jetë e nevojshme edhe mbështetja e popullit apo grupimeve të ndryshme nga popu
llata lokale dhe deri këtu nuk kemi arritur”.
 
“Maqedonia ka dy etnikume të mëdha, maqedonasit dhe shqiptarët, të cilët kanë pikëpamje të ndryshme për të ardhmen e vendit. Maqedonasit do të sakrifikonin integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO për të mbajtur emrin, ndërsa shqiptarët do të sakrifikonin emrin për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO”, tha Arsovski, i cili shton se incidenti nuk ka të bëjë me pakënaqësi etnike dhe më tepër është një instrument politik.
 
– Sefer Tahiri: Qeveria e Maqedonisë mundohet që të gjejë ndonjë mënyrë se si t’i shpëtojë kësaj krize të thellë politike-
 
Ndërsa analisti Sefer Tahiri, këtë ngjarje e vlerëson si një skenar të paramenduar politik për defokusimin e opinionit publik nga zhvillimet e fundit që ndodhin në vend, veçanërisht publikimi i “bombave” të opozitës maqedonase, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë ndaj pushtetit. “E gjendur në këtë situatë, Qeveria e Maqedonisë mundohet që të gjejë ndonjë formë apo mënyrë se si t’i shpëtojë kësaj krize të thellë politike”, shprehet Tahiri, duke shtuar se bëhet fjalë për një montim klasik.
 
Tahiri thotë se për dallim prej rasteve të tjera, opinioni publik këtë skenar e detektoi, ku sipas të gjitha gjasave orientimi të çon se është përgatitur nga Qeveria me qëllim që të shmang vëmendjen e opinionit publik nga zhvillimet e fundit.
 
“Konsideroj se situata politike në Maqedoni është tepër dramatike dhe gjendet në një krizë të thellë politike. Momentalisht nuk ka ndonjë zgjidhje alternative, e cila do ta çonte vendin përpara, por mendoj se situata shkon drejtë zgjidhjes politike në kuptimin që partia maqedonase në pozitë do të jetë e detyruar të pranoj njërën nga variantet që i ofron opozita maqedonase”, tha ai, duke përmendur këtu variantet si Qeveri kalimtare ose Qeverinë me bazë të gjerë politike që do të thotë me përfshirjen e të gjitha subjekteve politike.
 
Ai duke theksuar se zvarritja e zgjidhjes së krizës politike mund të çoj drejtë tensionimit të mëtejshëm të situatës së sigurisë dhe mund të jetë alibi për strukturat e ndryshme edhe nga ana qeveritare, por edhe për strukturat tjera që mund ta keqpërdorin situatën në momentin e caktuar, vlerësoi se: “Nuk ka ndonjë ambient të sigurisë apo ambient ndëretnik i cili do të mund të çonte drejtë një krize më të madhe, për shkak se tani më është e qartë, kriza nuk është ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, por kriza i tangon njëjtë edhe shqiptarët edhe maqedonasit”.
 
Analisti Sefer Tahiri thotë se këto raste janë vetëm parciale dhe nuk mund të tensionojnë situatën e sigurisë në përgjithësi, ndërsa aq më pak mund të ketë ndonjë përsëritje të krizës së vitit 2001, sepse siç tha ai, sot nuk ka ndonjë ambient të tillë dhe nuk është akumuluar ndonjë energji negative tek popullata për të zgjidhur krizën me metoda jo politike.kohaislame
Artikulli paraprakErdogan: Ja si duhet shkaterruar Isis-in
Artikulli vijuesQindra protestues në Baltimore protestojnë kundër dhunës policore ndaj afro-amerikanëve