Turqia ka anuluar marrëveshjen me Maqedoninë në sferën e arsimit për njohjen reciproke të diplomave.
Dokumentin të cilin e ka siguruar televizioni Alsat është miratuar në 12 dhjetor të vitit të kaluar me Propozim të Ministrisë së Punëve të jashtme të datës 22 nëntor 2016. Vendimi që tashmë është publikuar edhe në gazetën zyrtare të Turqisë ka të bëjë me marrëveshjen e arritur mes dy vendeve më 6 korrik të vitit 1998 me të cilën Turqia dhe Maqedonia vendosën njohjen e diplomave në të gjitha ciklet e arsimit të mesëm dhe universitar. Vendimi i autoriteteve turke i dekretuar nga presidenti Rexhep Taip Erdogan hyn në fuqi me 11 shkurt 2017 dhe me të kthehet gjendja e para vitit 1998 kur dy vendet nuk njihnin diplomat në sferën e arsimit.
Vendim i Turqisë
“Marrëveshja e nënshkruar më 6 korrik 1998 në Shkup, mes Republikës së Turqisë dhe Republikës së Maqedonisë me numër 98/11600, dhe e futur në fuqi më 12 korrik 1998 në lidhje me pranimin e diplomave të shkollave të mesme, universitare, magjistraturës dhe doktoratës, nga data 11 shkurt 2017, SHFUQIZOHET. Në bazë të artikullit me numër protokolli 11494949, të datës 22 nëntor 2016 të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në bazë të ligjit 244, neni 3, të datës 31 maj 1963, ky vendim është marrë në mbledhjen e këshillit të ministrave më datën 12 dhjetor 2016.”
Ndërkohë autoritetet e Shkupit thonë se nuk janë të njoftuar zyrtarisht me vendimin e kolegëve të tyre nga Ankaraja. Alsat kontaktoi Ministrin e Arsimit, Pishtar Lutfiu i cili tha se nuk beson të ketë pasur ndonjë arsyet për prishjen e marrëveshjes.
Mbeten të paqarta arsyet e vendimit të ashpër qeverisë turke ndërkohë që marrëdhëniet mes dy vendeve morën një hov të ri tensionesh që nga kërkesa turke për mbylljen e shkollave dhe fonacionet e mbështetura ndaj kleriku Fetullah Gylen. Autoritetet në Maqedoni e morën në shqyrtim këtë kërkesë por nuk morën një vendim konkret ndaj shkollave “Jahja Kemal” nëpër Maqedoni pasi konstatuan se ato punojnë në përputhje me ligjin.