Antimyslimanizmi i panevojshëm i Mustafa Nanos

Në emisionin e tij të fundit “Zululand” në “TemA TV”, gazetari Mustafa Nano ka trajtuar së bashku me dy klerikë myslimanë dhe një sociologe, temën e terrorizmit, të lidhur me ngjarjet e fundit.

Në debatet që ka pasur me të ftuarit, ai ka cituar pa ju referuar, një thënie të Oriana Fallacit te libri i saj “Zemërim dhe krenari”, se “Jo të gjithë myslimanët janë terroristë, por të gjithë terroristët janë myslimanë”.

Gazetari Mustafa Nano ka pasur një periudhë të gjatë meditimi mbi fenë, çka e shprehu edhe në një monolog teatral, përveç artikujve publicistikë.

Dhe mesa duket, zgjedhja e tij është për deizmin, në mos ateizmin.

Por gjithsesi fraza e tij është tepër e guximshme, për mos me thënë në kufijtë e racizmit.

Pasi së pari, myslimanët e Francës dhe Belgjikës, nuk kanë zgjedhur vetë të jetojnë në geto, por janë vendosur nga pritësit aty, me mjete të drejtpërdrejta dhe të tërthorta.

Të njëjtin problem e ka pasur edhe Suedia, por ajo e zgjidhi me integrimin. Franca zgjodhi dhunën në revoltat e balnieuve, ndërsa Belgjika, indiferencën.

Ja ku jemi.

Ndërsa terrorizmi në vetvete, është shpikje shumë më e hershme sesa ta aplikonin myslimanët.

E kanë praktikuar komunistët rusë para 100 vjetësh, pastaj izraelitët, e irlandezët, sa për të përmendur disa popuj të “fisëm”.

Dhe në përgjithësi është përdorur nga çdo popull apo rracë që kërkon çlirimin apo dekolonializimin. Duam ta pranojmë ose jo, popullsia myslimane ka shumë probleme, një nga të cilat është frustrimi. Le mos t’ia u shtojmë atyre.

Aq më shumë duke i cilësuar si mbartësit e vetëm të terrorizmit, sidomos në një popullsi si ajo shqiptare që 50% është e deklaruar myslimane./dh/dritare.net

Artikulli paraprakSkica për solidaritetin e munguar ndaj Turqisë
Artikulli vijuesJa shënimi i kamikazit! Erdogan: E deportuam në Belgjikë vjet