Arabia Saudite paralajmëron për pasoja në lidhje me ligjin mbi 11 shtatorin

Arabia Saudite ka dënuar një projektligj amerikan që do t’u mundësojë familjeve të viktimave të 11 shtatorit të padisin mbretërinë për dëmet e shkaktuara. Riadi thotë se ligji i kaluar së fundmi përbën një “shqetësim të madh”.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Arabisë Saudisë e ka nxitur Kongresin Amerikan që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta korrigjuar këtë ligj, për të shmangur pasojat serioze që mund të pasojnë.

Kjo kërkesë vjen pasi Senati Amerikan dhe Dhoma e Përfaqësuesve votuan të mërkurën në shumicë për ta rrëzuar veton e presidentit amerikan Barack Obama për ligjin Drejtësi ndaj sponsorëve të akteve terroriste (JASTA). Ligji u mundëson familjarëve të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit të kërkojnë dëmshpërblim nga qeveria saudite në gjykatat federale amerikane.

Riadi ka lobuar fuqishëm që ky ligj të mos shkojë në votim. Deklarata e Ministrisë së Jashtme, e cituar nga agjencia saudite e lajmeve SPA, thotë se ligji paraqet burim për “një shqetësim të madh”.

Edhe pse 15 nga 19 rrëmbyesit e përfshirë në sulmet e 11 shtatorit në tokën amerikane ishin qytetarë sauditë, nuk ka ndonjë provë që e lidh qeverinë saudite me autorët e sulmeve. Arabia Saudite, aleate kyçe e SHBA-ve, i ka mohuar zëshëm akuzat për përfshirje në sulmet në të cilat humbën jetën 3.000 njerëz, thuhet në raportimin e DW-së.  /tesheshi.com/

Artikulli paraprakTjetër afrim turko-arab: kryeministri Yilderim pret princin Nayef
Artikulli vijuesGreqi, policia greke poshtëron 5 fëmijë sirianë. “AI” kërkon hetim